Aktuale
Zona e Rugovës nuk përfshihet në debatin për plan zhvillimor dhe harta zonale

Takimet publike të mbajtura me qytetarë për të diskutuar Planin Zhvillimor Komunal (PZHK) dhe hartat zonale nuk e kanë përfshirë fare zonën e 14 fshatrave të Rugovës.
Mosmbajtja e këtyre takimeve ka shkaktuar reagime. Agron Nikçi, kryetari i Bashkësisë Lokale Drelaj, që mbulon gjysmën e fshatrave të Rugovës, tregon se në ftesat për debatet e mbajtura për PZHK dhe HZ nuk ka figuruar asnjë fshat i trevës së Rugovës, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Treva e Rugovës nuk ka qenë fare në agjendë dhe Rugova nuk ka qenë e paraparë në asnjë takim. Unë si kryetar i Bashkësisë Lokale Drelaj kam qenë i pranishëm vetëm në takimin e parë publik informues”, ankohet Nikçi.
Ky takim i parë informues ishte mbajtur në muajin prill në teatrin e qytetit, ku kanë qenë të ftuar të gjithë kryetarët e bashkësive lokale, para se të nisnin për t’u mbajtur takimet publike në muajin maj së pari në qytet. “Në asnjë takim, komuniteti rugovas për trevën e Rugovës, nuk jemi ftuar. Atë ditë më kanë thënë eja merri fletët për agjendën e takimeve, por në ato agjenda nuk kanë qenë as Bashkësia Lokale I e as II e Rugovës.
Edhe na si komunitet i Rugovës jemi të zhgënjyer që kemi mbetur jashtë këtyre takimeve, sepse edhe na kemi pasur mjaftë kërkesa që i kishim shpreh si komunitet. Kemi pasur një mijë kërkesa, sepse Rugova është e paprekur dhe nuk po duan thjesht me ba investime në të”, ankohet ai. Në Drejtorinë e Urbanizmit pranojnë se e kanë lënë trevën e Rugovës jashtë këtyre takime, por jo me qëllim të anashkalimit të zhvillimit të saj me planet zhvillimore.
“Rugova nuk është përfshirë në ato takime për shkak se ajo konsiderohet park kombëtar dhe është kompetencë e Ministrisë se Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”, tregon drejtori i Urbanizmit, Rajan Arapi, arsyen.
Kurse nga takimet me banorë të pjesëve të tjera të Pejës është dominuar nga kërkesat për ndërtimin apo finalizimin e kanaleve të ujitjes.
