Aktuale
ZKA: Programi i veçantë i banimit social nëpër komuna nuk performon mirë

Raporti i fundit i auditimit të performancës i publikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) tregon se Programi i Veçantë i Banimit nuk performon mirë. Shumica e atyre që kanë nevojë për banim social nuk kanë arritur të përfitojnë, dhe shumë pak është bërë për ta përmirësuar dukshëm këtë situatë.
Sipas raportit, si pasojë e mos përfitimit nga ky program i banimit, shumë qytetarë do të vazhdojnë të jetojnë në objekte të rrezikshme ose të papërshtatshme për banim. Programi nuk financohet mjaftueshëm dhe resurset në dispozicion nuk janë alokuar në mënyrë efektive.
“Komunat kanë vështirësi që të gjenerojnë fonde të mjaftueshme për t’i përmbushur të gjitha kërkesat e banimit. Për më shumë, burimet në dispozicion nuk ndahen në vazhdimësi tek qytetarët që kanë më shumë nevojë, dhe ka raste që të përfitojnë njerëz të cilët nuk e gëzojnë këtë të drejtë”, thuhet në raportin e ZKA.
Më tej theksohet se performanca dhe praktikat mes komunave janë dukshëm të ndryshme, dhe në anën tjetër kriteret e komplikuara shtetërore nuk aplikohen në mënyrë konsistente, duke rezultuar në parregullsi të shpeshta dhe në rezultate të padëshiruara. Ka mangësi sa i përket sistemit të informimit, monitorimit dhe inspektimit.
“Qeveria dhe komunat nuk kanë zhvilluar një sistem për të identifikuar nevojat për banim social dhe për pasojë nuk ka të dhëna të sakta në lidhje me numrin e atyre që kanë nevojë për këtë program”, thuhet në raport.
Besnik Osmani, Auditori i Përgjithshëm i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës ka thënë se “Qeveria nuk ka arritur të krijojë mekanizma të qëndrueshëm që do të ndihmonin në zbatim, koordinim dhe monitorim të Programeve të Veçanta për Banim, dhe si rezultat Programi i Veçantë për Banim nuk funksionon si duhet”.
Zyra Kombëtare e Auditimit, ka dhënë rekomandimet e veta, të cilat kanë për qëllim të sigurojnë se autoritetet përgjegjëse, respektivisht Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të rishikojë dhe përmirësojë programin aktual dhe mënyrën e zbatimit të tij. Të zhvillojë objektiva relevante dhe të matshme, thjeshtësojë kriteret, përcaktojë ndarjen e përgjegjësisë ndërmjet autoriteteve qendrore dhe lokale dhe të vendosin masa për të siguruar që programet e veçanta të banimit operojnë në mënyrë efektive, konsistente dhe efikase.
Ndërsa, Komunat të krijojnë një mënyre për t’i identifikuar qytetarët me prioritet të lartë të nevojës për banim social dhe të përpiqen të gjejnë zgjidhje të përballueshme dhe të menjëhershme për ta.
