Aktuale
ZKA-ja gjen disa mangësi në projektet e komunave të mbështetura nga Ministria e Infrastrukturës
Ministria e Infrastrukturës po vazhdon të ndajë miliona euro në mbështetje të komunave për projekte në infrastrukturë. Por, në projektet për cilat gjatë viti 2018 MI ndau mjete, Zyra Kombëtare e Prokurimit (ZKA) ka gjetur disa mangësi, raporton Ndërtimi.info.
Sipas ZKA-së, zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës nuk kanë marrë pjesë në komisionet për hapje dhe vlerësim të ofertave në projektet për bashkëfinancim me komunat si dhe ka pasur ngecje në realizimin e projekteve që ministria i ka bashkëfinancuar me komunat.
Nga mostrat e testuara, ZKA-ja ka identifikuar se në pesë raste zyrtarët e MI-së nuk kanë qenë pjesë përbërëse e komisionit për hapjen dhe vlerësimin e ofertave në proceset e prokurimit të zhvilluara nga komunat. Kjo kishte ndodhur me rastin e vlerësimit të tenderëve për projektet: (a)“Asfaltimi i rrugës në fshatin Poterq i Epërm” vlera e kontratës 258,804€; (b) “Asfaltimi i rrugës Mulliq – Potok” vlera e kontratës 37,357€; (c) “Asfaltimi i rrugës Brodosanë – Rezinë” vlera e kontratës 255,000€; (d) “Asfaltimi i rrugës Lushi – Dullovi” vlera e kontratës 214,354€ dhe (e) Projekti ‘’Ndërtimi i rrugës Kryshec – Morinë”, vlera e kontratës 728,322€.
E gjithë kjo kishte ndodhur për shkak se komunat nuk i kanë njoftuar me kohë zyrtarët e MI-së për zhvillimin e procedurave të prokurimit, por edhe zyrtarët e MI-së janë treguar neglizhent që të marrin pjesë në proceset e prokurimit.
Kjo mospjesëmarrje e zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës mund të sjellë rreziqe.
“Mos pjesëmarrja e zyrtarëve të ministrisë në komisionet për hapje dhe vlerësimin e ofertave të zhvilluara nga komunat, mund të rezultojë në përzgjedhjen e operatorëve të pa përgjegjshëm dhe mos informimin e ministrisë për dinamikën e projekteve”, thuhet në raportin e auditimit të vitit 2018.
Për këtë, ZKA-ja thekson se ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj duhet sigurohet së zyrtarët e saj duhet të jenë pjesë e komisioneve në procesin hapjes dhe vlerësimit të ofertave, për t’u siguruar se proceset e prokurimit zhvillohen në kuadër të një transparence të plotë dhe në pajtim me rregulloret, si dhe të informohet me dinamikën e projekteve.
Memorandumet te bashkëpunimeve mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe komunave obligojnë komunat që të krijojnë kushtet e nevojshme për realizimin e projekteve dhe të ndërmerr masat që kontraktuesi pa pengesë të filloj me implementimin e projektit me kohë.
Por, ZKA-ja ka kemi identifikuar se zbatimi i projekteve me bashkëfinancim me Komuna ka hasur në pengesa në realizimin e punimeve.
“Komunat janë zotuar dhe kanë nënshkruar memorandumet e bashkëpunimeve me MI për financimin e projekteve të caktuara, pa krijuar parakushtet e duhura për fillimin e punimeve. Nga mostrat e testuara, ne kemi identifikuar se në katër (4) raste, zhvillimi i projekteve ishte paraparë brenda dy apo tri viteve. Ne kemi bërë analizën e progresit financiar të kontratave dhe konkluzioni është se projektet po realizohen me një dinamikë të ngadalshme”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Sipas të gjeturave të kësaj zyre, projektet me progres më të ultë të realizmit janë:
“Unaza e jashtme në Ferizaj”, kontrata trevjeçarë me vlerë 2,865,167€ është nënshkruar më 15.11.2016, ndërsa realizimi i pagesave deri në fund të vitit 2018 ishte 624,333€ ose 21%;
“Zgjerimi i rrugës Komogllavë –Tërstenik”, kontrata e nënshkruar me datën 10.11.2016 me vlerë 1,089,590€ për një periudhë trevjeçare, realizimi pagesave deri në fund të vitit 2018 është 275,088€ ose 25%;
“Zgjerimi i rrugës Sadovinë e Jerlive – Dardani”, kontratë dyvjeçarë në vlerë 292,325€ e nënshkruar më 26.12.2017, ndërsa realizimi i pagesave deri në vitin 2018 është 166,917€ ose 57% dhe
“Asfaltimi i rrugës te Xhamia”, kontratë dyvjeçarë e nënshkruar me datën 18.10.2017 në vlerë 487,688€ realizimi i pagesave deri në fund të vitit 2018 është 327,923€ ose 67%.
ZKA-ja thekson se kjo dinamikë e ultë e realizimit të projekteve ka ndodhur për shkak të problemeve pronësore të pazgjidhura, reagimet e qytetarëve dhe mos pajtimet me trasenë e rrugëve.
Por, ndarja e fondeve për bashkëfinancim të projekteve, para se komunat t’i kenë zgjidhur pengesat e përmendura, sipas Auditorit, mund të shkaktoj ngecje në realizmin e projekteve, mos përfundimin e tyre brenda afateve të kontraktuara dhe mundësinë për shpenzime shtesë të projekteve. Kjo, gjithashtu mund të ndikoj edhe në mosefikasitetin e shpenzimeve të buxhetit nga ana e ministrisë.
Për këtë, ZKA-ja rekomandon ministrin Pal Lekaj të sigurojë që para se të arrihen marrëveshjet me Komunat për bashkëfinancimin e projekteve të caktuara, të sigurohet se komunat kanë rregulluar çështjet pronësore, kopjen e planit dhe pëlqimet për kyçje nga kompanitë komunale (rryma, uji dhe kanalizim). Në të kundërtën, të mos bëhet financimi i tyre./Ndërtimi.info/