Aktuale
Zhvillimi urban i projekti për qendrat historike, korsitë e biçikletave dhe hapësirat për parkim

Mangalemi dhe Gorica, rrugët “Mihal Komneno” dhe “Muzak Topia si dhe zonat rreth qendrës historike të Beratit dhe ajo përgjatë lumit të Osumit do të transformohen në kuadër të projektit “Zhvillimi i Integruar Urban dhe Turistik.”
Ky projekt, ndërhyrjet e të cilit bëhen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit është financuar nga qeveria shqiptare dhe Banka Botërore. Ai përfshin përmirësimin e aksesit në kala, për të cilin është vënë në dispozicion një fond prej 4.6 milionë dollarë, rigjenerimin e qendrave historike në tërësi, përmirësimin vizual të zonave përreth këtyre qendrave si dhe krijimin e një sistemi të integruar gjelbërimi.
Po ashtu, projekti parashikon përmirësimin e sistemit të qarkullimit këmbësor e automobilistik, përmes ndërtimit të korsive të dedikuara të biçikletave, hapësirave për parkim si dhe rehabilitimin e rrugëve të këmbësorëve.
Drejtori Ekzekutiv i FSHZH-së, Benet Beci ka bërë një prezantim të këtij projekti dhe ndërhyrjeve të tjera që do të behën në qytetin e Beratit gjatë eventit ” Planet e Zhvillimit për Beratin.”
Investimet në infrastrukturë në zonën e Beratit arrijnë një vlerë prej 19.17 milionë dollarë. Ky projekt ka nisur zbatimin e tij që në vitin 2017, ku parashikohen ndërhyrje në bashkitë Berat, Përmet, Sarandë dhe Gjirokastër për krijimin e një korridori turistik me gjatësi prej 435 kilometër.
Ndërkohë, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, FSHZH shkruan se projekti do të vazhdojë deri në vitin 2022 dhe pritet të shumëfishojë qarkullimin e turistëve në të gjithë zonën e jugut.
