Aktuale
Zhagitet tenderi mbi 400 mijë euro për rregullimin e parkut në Gjakovë
Nuk dihet se edhe për sa kohë do të zvarritet nisja e punimeve për rregullimin e parkut në Gjakovë.
Zvarritja e rregullimit të parkut, kontratë tre vjeçare që kalon shifrën e 400 mijë eurove, po bëhet meqë dhënia e kontratës për këtë tender është anuluar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP). Kjo e fundit ka kërkuar nga Komuna e Gjakovës që lëndën për këtë aktivitet të prokurimit ta kthejë në Rivlerësim.
Kjo erdhi pas ankesës së grupit të operatorëve ekonomik “Marisa Sh.P.K&Gërlica Sh.P.K”. Dy këto kompani deponuan ankesë në OShP kundër njoftimit për dhënien e kontratës për tenderin e lartcekur me pretendimet se Komuna e Gjakovës në dhënien e këtij tenderi ka vepruar në kundërshtim me nenin 1, 5, 59, 60, 72 të Ligjit të Prokurimit Publik (LPP)-së.
Sipas zyrtares së prokurimit në Komunën e Gjakovës Ardiana Bakalli afatet ligjore u bënë shkak që tenderi të kthehet në Rivlerësim.
Bakalli për Ndërtimi.info tha se OShP ka marrë vendim të jashtë ligjshëm, por që megjithatë një vendim i tillë do të respektohet.
“Ne jemi të obliguar, i keq ose i mirë me qenë vendimi i OSHP-së ne kemi obligim ligjor me respektu vendimin e OSHP-së. Kontrata është nënshkruar, pas afatit ligjor operatori ekonomik ka bërë ankesë dhe OSHP e ka marrë si të bazuar dhe ka kthyer lëndën në rivlerësim”, tha Bakalli.
Ajo ka treguar se tashmë janë duke e bërë edhe vlerësimin e tenderit, dhe se deri në fund të javës do të shpallet edhe fituesi.
“Ne jemi vetëm në rivlerësim të aktivitetit dhe ma merr mendja që deri në fund të javës e përfundojmë vlerësimin dhe e shpallim fituesin”, tregon Bakalli për Ndërtimi.info
Marrë parasysh që vendimi i është dërguar vetëm njërit nga operatorët e konsorciumit, Bakalli thotë se konsorciumi ka patur një deklaratë ku thotë bashkërisht dhe individualisht janë përgjegjës për përbërjen e grupit.
“Në këtë rast ekspertja e OSHP-së e ka kthyer raportin në favor tonin. Për shkak se operatori ekonomik nuk ka pasur drejtë të ankesës për shkak se ka bërë jashtë afatit ligjor. Këtu kanë qenë dy operator ekonomik, njërit prej operatorëve ekonomik i ka shkuar vendimin, jo dyve. Edhe sipas OShP-së është dashur të ju dërgohet që të dyve e-maili që është shumë e pa bazuar se nuk shfuqizohet kontrata se ata nuk e kanë pasur asnjë deklaratë së bashku që vetëm njëri operator është i caktuar për komunikim me Autoritetit Kontraktues. Se ata e kanë pasur një deklaratë ku thonë se ne bashkërisht dhe individualisht jemi përgjegjës për përbërjen e grupit. E kur të jetë bashkërisht dhe individualisht, njërit nëse i dërgohet është në rregull. E këtu OShP ka marrë vendim të jashtë ligjshëm. Mirëpo prapë se prapë ne duhet me respektu vendimin e OShP-së”, shpjegon Bakalli.
Megjithëkëtë, paneli shqyrtues pas shqyrtimit të ankesave të lëndës, shqyrtimit të pretendimeve ankimore të OE ankuese, konstatimeve, analizës, ka konstatuar se Autoriteti Kontraktues të gjitha komunikimet elektronike/njoftimet lidhur me këtë aktivitet të prokurimit i ka bërë në e-mail të e liderit të konsorciumit.
Vetëm vendimi për refuzimin e kërkesës për rishqyrtim, Komuna e Gjakovës e ka dërguar në adresë elektronike të anëtarit të konsorciumit.
Paneli shqyrtues ka konsideruar se Autoriteti Kontraktues, pra në këtë rast Komuna e Gjakovës është dashur që vendimin për refuzimin e kërkesës për rishqyrtim ta dorëzoj në e-mail të cilit i ka bërë të gjitha komunikimet elektronike në mënyrë që të informohen me kohë palën për ecurinë e mëtutjeshme të aktivitetit të prokurimit në fjalë, e që në këtë mënyrë të jetë sa më transparente.
Marrë parasysh gjitha këto, paneli shqyrtues konstaton se Komuna e Gjakovës duhet ta shkëpus kontratën lidhur me grupin e operatorëve ekonomik “D&T Group Sh.P.K&Horn&Co.Kosova Sh.P.K&NP Inova Sh.P.K.
Veç kësaj paneli shqyrtues ka kërkuar që Komuna e Gjakovës ta marrë në konsideratë edhe nenin 1 të Ligjit të Prokurimit Publik (LPP), qëllimi i të cilit nen është të sigurojë mënyrën më efikase, më transparente dhe më të drejtë të shfrytëzimit të fondeve publike, burimeve publike si dhe të të gjitha fondeve publike.
Për këtë tender ishin pranuar 8 operator ekonomikë.
Ndërkohë për rregullimin e parkut, Komuna e Gjakovës kishte planifikuar të japë 449 mijë e 956 euro.
Por që pas pranimit të tenderëve, tenderi iu dha operatorit ekonomik “OE D&T Group Sh.P.K&Horn&Co, Kosova Sh.P.K&NP Inova Sh.P.K, me çmim 404.566,28 euro, si çmimi më i ulët. Ndërsa, çmimi më i lartë kishte qenë 420 mijë e 559, 71 cent.