Aktuale
Zgjerimi i rrugës “paralizon” nënkalimin

Pak kohë ka nga ndërtimi i rrugës së re që lidh magjistralen Prishtinë-Ferizaj direkt me rrethrrotullimin te hyrje-dalja e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Vite më parë, aty pranë ishte ndërtuar nënkalimi që e lidh këtë pjesë me lagjen Kalabria të kryeqytetit.
Por, lidhja e tyre ka defekte.
Kjo pasi këmbësorët, për të kaluar nga njëra anë në tjetrën, pos nënkalimit, duhet të kalojnë edhe në tri korsi.
Ndërtimi i rrugës që lidh magjistralen me rrethin prapa meje nuk u ka pëlqyer shumë këmbësorëve që e përdorin nënkalimin për të kaluar nga kjo anë në lagjen Kalabria dhe anasjelltas, pasi sipas tyre, kjo rrugë e ka përgjysmuar funksionin e nënkalimit, raporton KTV.
Ky projekt është jo i menduar mirë, sipas inxhinierit Driton Tafallari.
Ndërsa në Komunën e Prishtinës thonë se nuk mund të bëjnë asgjë lidhur me këtë pasi Ministria e Infrastrukturës është duke punuar pa leje në këtë pjesë.
“Sa i përket rrugës së ndërtuar nga Ministria, rrugë kjo pa leje nga Komuna dhe e cila e ka devijuar projektin e Komunës, ajo do të shkaktojë probleme edhe te nënkalimi, për shkak se qytetarëve u bie që sapo të dalin nga nënkalimi të dalin direkt në rrugë. Ne e kemi kundërshtuar këtë nga fillimi por Ministria nuk na ka pyetur”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prishitnës.
Madje, sipas Tafallarit, as lidhja e kësaj rruge me atë “A”, e cila parashihet të ndërtohet në të ardhmen, nuk është menduar mirë.
Ndërsa në Ministrinë e Infrastrukturës nuk kanë dhënë asnjë përgjigje në pyetjet e televizionit lidhur me këtë problem.
E pos kësaj, banorët ankesa kanë edhe për papastërtinë në nënkalim.
Por në komunë fajin e hedhin te pakujdesia e qytetarëve.
“Ne jemi duke u përkujdesur për mirëmbajtjen e atyre nënkalimeve, sidomos tash që ato janë bërë më të frekuentuara nga qytetarët. Mirëpo, një problem është se shumë shpesh, në atë pjesë, po gjejmë edhe mbeturina të amvisërisë – qese të mëdha, përderisa shportat aty janë më të vogla – për mbeturina të xhepit. Për këtë arsye, po ka nevojë të intervenohet më shpesh në mënyrë që të mirëmbahet ajo pjesë”.
Ndryshe, muaj më parë, për shkak të reshjeve të shiut, pak metra larg nënkalimit, ka pasur rrëshqitje të dheut e shembje të mureve anësore, për çka Ministria pat marrë kritika për kualitetin e punimeve.
