Aktuale
Zgjatet Rruga e Arbrit, distancën Tiranë –Dibër e rrudhë në 74 kilometra

Në Zall-Bastar po vazhdon puna intensive për realizimin e projektit të Rrugës së Arbrit, me një gjatësi rreth 74 km.
Ndërtimi i “Rrugës së Arbrit” do të shkurtojë në mënyrë të ndjeshme rrugën ekzistuese që përdoret sot nga Tirana për në Dibër me gjatësi 180 km, duke ndikuar në zhvillimin e zonave kjo rrugë do të bëhet një korridor lidhës i rëndësishëm i Lindje-Perëndimit, raporton atsh.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri bën të ditur se punimet që po bëhen në Zall-Bastar, po ecin me ritme të shpejta për realizimin e kësaj vepre.
“Në Zall-Bastar, aty ku po vazhdon puna intensive për realizimin e projektit të Rrugës së Arbrit. Të gjithë ata që i gjykonin me skepticizëm projektet në 3D, tashmë e kanë mundësinë të shohin vetë nga afër konkretizimin e të parës vepër të partneritetit publik privat në kuadër të paketës “1 Miliard për Rindërtim””, thekson Gjiknuri.
Rruga e Arbrit kalon në Qarkun e Tiranës – në njësinë administrative të Zall-Bastarit dhe nëpërmjet tunelit të Murrizit, rruga kalon në territorin e bashkisë Klos e konkretisht në fshatrat Drezës, Xibër, Shkallë, Fshat. Pas daljes nga tuneli i Qafë-Buallit rruga kalon në afërsi të urës së Cerenecit, si dhe në të djathtë të fshatit Shupenzë.
Kjo rrugë lidh rajonet lindore dhe verilindore të Shqipërisë duke përmirësuar transportin e banorëve që jetojnë në zonat në të cilën kalon rruga, si dhe siguron transportin e burimeve natyrore nëntokësore siç është kromi nga Bulqiza për në portin e Durrësit, i cili më pas eksportohet.
Gjithashtu ky aks rrugor do të jetë rruga më e shkurtër që lidh Tiranën me Dibrën, si dhe me veriun e Maqedonisë, Dibrën e Madhe, Tetovën dhe Shkupin, pra do të jetë rrugë lidhëse ndërkombëtare.
