Aktuale
Zëvendësdrejtori i FMN-së, vlerëson të arriturat e shtetit të Kosovës

Ministri i Financave, Bedri Hamza e priti në takim zëvendësdrejtorin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Tao Chang, ku u diskutuan sfidat dhe problemet me të cilat është ballafaquar Kosova në këto vitet e fundit.
Zëvendësdrejtori menaxhues i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Tao Zhang, vlerësoi të arriturat në Kosovë dhe përkushtimin e Qeverisë për adresimin e çështjeve me qëllim të zhvillimit ekonomik dhe stabilitetit fiskal.
“Kjo është vizita ime e parë në Kosovë dhe po shoh një ekonomi që është duke u zhvilluar. Në takimet tona kemi qenë të inkurajuar me ato që kemi dëgjuar për zhvillimet që janë bërë. Jemi inkurajuar me përkushtimin e kryeministrit për të vazhduar reformat që kanë nisur qe disa vite. Kosova duhet ta mbajë këtë disciplinë fiskale dhe për të arritur pastaj synimet. Kjo është e rendësishme kur kemi parashysh që Kosova ka popullsi të re. Punësimi është shumë i rëndësishëm dhe duhet të trajtohet”, tha Zhang.
Ai tha se nesër e mirëpret takimin me studentët e UP-së, me të cilët do të diskutoj për nevojat e tyre.
Ndërsa ministri Hamza, ka vlerësuar ardhjen e zyrtarit të FMN-së, duke thënë se Kosova ka përfituar në shumë segmente nga bashkëpunimi me FMN-në.
“Është hera e tretë që Kosovën e viziton një nivel kaq i lartë i FMN-së . Kosova ka përfituar në shumë segmente nga bashkëpunimi me FMN-në. Sidomos FMN-ja ka qenë bartëse dhe përkrahëse e përgatitjes së draftimit të legjislacionit shumë të lartë”, tha ministri Hamza.
Sipas tij pavarësisht që ka pasur rritje ekonomike që vlerësohet të jetë mbi 4 për qind, shteti i Kosovës ka nevojë që të kalojë në një nivel tjetër të rritjes ekonomike.
