Arkitekturë
“ZERO” – Lagje pa emitim të ndotësve nga “Architecture for Humans”

Lagje me shtëpi banimi që prodhojnë energji të pastër dhe që bëjnë familjen të jetë e mjaftueshme me atë energji. Në këtë fjali shumë nga ne do të mund të pajtoheshim sikur të ishin pjesë e lagjes. Ky është edhe një nga trendet e reja që po trokasin në dyert e botës.
Një projekt/hulumtim të tillë e kanë zhvilluar edhe një grup arkitektësh të rinjë, të mbledhur në kompaninë “Architecture for Humans”. Projekti mban emrin “ZERO”.
Rron Beqiri nga “Architecture for Humans” ka shpjeguar për Ndërtimi.info në detaje këtë projekt.
“Ky projekt rrjedh si pasojë e problemeve dhe vështirësive me të cilat njerëzimi dhe shoqëria po ballafaqohen çdo ditë e më shumë për shkak të ndryshimeve klimatike. Janë bërë analiza të rezultateve potenciale dhe shkaktarëve të ndryshimeve klimatike, si dhe faktorët që janë drejtpërdrejt përgjegjës për to, me theks të veçantë në objektet e banimit për shkak të rolit të madh që e kanë në konsumin e energjisë dhe emetimin e CO2, duke shtuar faktin se njerëzit shpenzojnë shumicën e kohës së tyre brenda këtyre hapësirave”.
“ZERO” është projekt që merret me problemet dhe vështirësitë me të cilat përballet sot njeriu dhe shoqëria për shkak të ndryshimeve klimatike, e sidomos presioni që këto ndryshime sjellin mbi familjet dhe ekonominë familjare.
“Rezultatet potenciale dhe shkaktarët e ndryshimeve klimatike janë analizuar dhe janë krahasuar me simulime kompjuterike ashtu që të kuptohet ndikimi i përgjithshëm i tyre në objektet e banimit dhe në hapësirat përcjellëse të tyre”, thuhet më tej nga Architecture for Humans.
Ndërtesat, sipas tyre, më nuk i përkasin ekskluzivisht vetëm anës së shpenzuesve të energjisë, ato kanë potencial për tu bërë një burim i gjenerimit të energjisë së pastër dhe rrjedhimisht pjesë e anës së furnizimit.
Kjo perspektivë e re mundëson zgjerimin e konceptit të ndërtesave me emitim zero të ndotësve (ZEB) në një shkallë urbane. Ky projekt tregon se cilat janë implikimet dhe sfidat teknike e ekonomike të një ndërtese të këtij tipi, fillimisht duke konsideruar avantazhet lidhur me ambientin, por gjithashtu ekonominë familjare. Projekti gjithashtu konsideron kualitetin e jetës, sensin e komunitetit, identitetin si dhe faktorë tjerë që edhe më tej kontribuojnë në konceptin e lagjeve me emitim zero të ndotësve.
Provat e paraqitura në këtë projekt flasin për kombinimin e strategjive të projektimit diellor pasiv, pajisje efiçiente dhe sisteme aktive diellore që do të çojnë drejt performancës me zero emitim të ndotësve, duke patur parasysh mënyrën e jetesës bashkëkohore dhe ndikimin e kohës së digjitalizimit.
Në projekt janë paraqitur tri tipe të shtëpive që përshtaten me kërkesat e tregut. Modeli i propozuar siguron energjinë e nevojshme për të mbuluar nevojat e familjes, me mundësinë që eventualisht kjo të shndërrohet në burim të të ardhurave për familjen, duke ia shitur qytetit energjinë e tepërt.
Rasti studimor i paraqitur këtu ndodhet në lagjen Prishtina e Re në Prishtinë, megjithatë modeli është i riprodhueshëm dhe mund të modifikohet varësisht prej lokacionit, madhësisë së familjes, si dhe karakteristikave klimatike./ndertimi.info/
