Ndërtim
Zbulohen ndërtesat që përdoreshin si burgje nga ISIS, kështu dukeshin
Janë zbuluar në Raqqa “burgjet e vdekjes” të organizatës terroriste “Shteti Islamik”.
Reporteri Stuart Ramsay ka vizituar kompleksin në Raqqa, në qytetin kryesor të ISIS-it në Siri, ku “Shteti Islamik” ka mundur të mbajë të mbyllur mijëra të burgosur në të njëjtën kohë.
“Në qendër të qytetit Raqqa gjendet stadiumi kryesor në të cilin dikur festoheshin fitoret e futbollit, kurse pas ardhjes së ISIS-it është shndërruar në sinonim të vdekjes.
Të paktë janë ata njerëz që janë futur dhe janë larguar të gjallë. Është vendi më rrëqethës që ndonjëherë kam qenë. Një grup ushtarësh më kanë thënë t’i përcjellë duke ecur nëpër rrënojat e ndërtesës”, ka deklaruar Ramsay.
Pjesa e parë e “burgut të vdekjes” ishte ajo e femrave, por pak metra më poshtë ishte edhe ai për meshkuj. Ka qenë një kompleks gjigant që ka mundur të pranoj nga 500 deri në një mijë të burgosur.
Qelitë e burgjeve janë të madhësive të ndryshme – disa janë të mëdha për grupe të mëdha të burgosurish, të tjerat janë më të vogla, kurse një ishte e veçantë pasi brenda saj torturoheshin me metodat më të egra të burgosurit.
Në muret e disa qelive ishin shkruar porosi të dënuarve, kushtuar familjarëve të tyre, apo më mirë thënë u kanë shkruar lamtumirën e fundit. Një qeli e madhe ishte e rezervuar për militantët e ISIS-it. Aty janë mbajtur të gjithë ata që kanë tentuar të dezertojnë apo t’i ikin luftimeve.
Aty ishin të shkruar emrat e burrave nga vende të ndryshme të botës, por kishte pasur edhe gërvishtje me thonj të Abu Saed al Britania, britanikut i cili ishte pjesë e kësaj organizate. Në mur figuron data 24 shkurt e vitit 2016, dhe kjo tregon më së miri se sa gjatë është mbajtur brenda këtij burgu.
Nuk dihet saktë nëse ka qenë ai, por nëse po, atëherë ai njihej edhe me nofkën Omar Hussein, i cili më herët kishte punuar si rojtar në një market në Siri, kurse në vitin 2014 i është bashkuar ISIS-it. Ekziston mundësia që të ketë vdekur brenda kësaj qelie.