Aktuale
Zbardhet “lista e zezë”, këta janë 341 ndërtuesit që nuk kanë legalizuar pallatet në Tiranë

Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame në një konferencë për mediat bëri me dije ‘urdhrin e ri’ për të mos dhënë asnjë leje për të gjithë ato subjekte ndërtues që nuk kanë përfunduar me procesin e legalizimit në Shqipëri.
Ai tha se vetëm në Tiranë janë mbi 300 subjekte, lista e të cilëve do t’i kalojë bashkësisë për të bllokuar kështu dhënien e lejeve të ndërtimit pa përfunduar më parë me procedurat e legalizimeve të ndërtesave që kanë në proces.
Gazeta “Shekulli” ka siguruar listën e plotë të këtyre ndërtuesve.
“Unë kam këtu një listë me 341 subjekte /persona, për po kaq objekte, e cila po sot di t’i përcillet zyrtarisht Bashkisë Tiranë dhe do t’i kërkohet pikërisht kjo që thashë edhe më sipër: Asnjë leje ndërtimi e re për këto subjekte, pa përmbyllur pallatet e ndërtuara deri më sot. Jam i bindur që do të gjejmë mbështetjen e Bashkisë në këtë proces, pasi mbyllja e këtij procesi, do të zgjidhë hallin e mijëra familjeve në Tiranë që vijnë vërdallë prej vitesh. Nga ana tjetër, bllokimi i këtyre subjekteve do të ndihmonte që të mos lejonim që këta persona të bënin sërisht dëm, duke marrë leje të reja ndërtimi, pasi miu po kaloi një here nën mustaqe e bën udhë. Ditë pas dite, ky proces i hartimit dhe dërgimit pranë bashkive të listës së zezë me ata që ju kanë nxirë jetën qytetarëve, do vijojë edhe qytetet e tjera. Lista e Zezë e subjekteve, do ti dërgohet: Bashkive; Drejtorisë së Tatimeve; AZHT-së (Agjensia e Zhvillimit të Territorit si dhe Shoqatës Ndërtuesve. Në gjithë këtë proces, kemi të bëjmë me një matje force midis paligjshmërisë dhe nesh që po përpiqemi ta zgjidhim. Ju kërkoj qytetarëve të jenë në anën tonë dhe të na ndihmojnë. Vazhdoni t’u bëni presion këtyre ndërtuesve. Mos blini shtëpi prej tyre, pa mbaruar punë paraprakisht me dokumentacionin“, tha ai.
