Connect with us

Aktuale

Xhaminë afër 600 vjeçare në Prizren e mbulojnë mbeturinat

Published

on

Xhamia e Namazgjahut në Prizren është njëra ndër katër xhamitë e këtij lloji në Ballkan dhe objekti i parë monumental i kulturës Islame në qytetin e Prizrenit.

Edhe pse kjo xhami i sjell Prizrenit me mijëra euro nga turistët nga mbarë bota ky objekt nuk po mirëmbahet.

Parku i Xhamisë së Namazgjahut është i shkatërruar, mbeturinat kanë kapluar hapësirën, ulëset, shportat dhe trafot e ndriçimit janë të dëmtuara në masë të madhe.

Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Jusuf Xhibo tha për KALLXO.com se mirëmbajtja e parkut në afërsi të Xhamisë së Namazgjahut i takon Komunës së Prizrenit dhe se për rregullimin e parkut disa herë është zotuar Drejtoria e Turizmit por, asnjëherë nuk ka vepruar.

“Namazxhahu i Prizrenit”është monument arkitektonik ashtu që punët dhe mirëmbajtjen e monumenteve e ka Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore – Prizren (QRTK – Pz). Meqë Namazxhahu ndodhet brenda një parku (proporcioni monument – park është afërsisht 10:1 në favor të parkut) dhe mirëmbajtjen e parqeve e bën ndërmarjet e pastrimit (besoj të kontraktuara nga Komuna) atëherë mbajtja e pastërtisë i takon atyre, derisa rojtari kujdeset për monumentin që të mos dëmtohet nga keqbërësit e ndryshëm. Rojtarët që kujdesen për monumentin disa herë kanë raportuar si inspekcionit komunal ashtu edhe policisë për persona që dëmtojnë parkun ose inventarin e parkut por rezultatet ishin të përkohshme pasi problemet vazhonin edhe më pas.  Veç kësaj për problematikë e namzxhahut (ndriçimin, ulset, shportat,etj) kemi diskutuar disa herë edhe me Drejtorinë e Turizmit e cila u zotua se kanë një buxhet dhe se do të rregullojnë, por deri më sot nuk pati asnjë lëvizje konkrete”, tha Xhibo.

Krenare Koqi, shefe e kabinetit në Komunën e Prizrenit tha se janë në fazën e shqyrtimit të tenderëve për operatorët ekonomik që do të merren me mirëmbajtjen e parqeve dhe hapësirave të gjelbra në Prizren.

“Mirëmbajtja e xhamisë së Namazgjahut e kemi pasur në linjë buxhetore sivjet dhe për shkak të buxhetit kemi bërë vetëm ndriçimin e objektit, kurse sa i përket menaxhimit të mbeturinave në parkun e xhamisë dhe dëmtimeve eventuale ato i kemi evidente edhe nëpër parqet e tjera dhe kjo ka qenë si pasojë e mungesës së një kontarte në kornizë për mirëmbajtjen e parqeve dhe hapësirave të gjelbra.  Ne jemi në fazën e shqyrtimit të tenderëve të aplikuesve të operatorëve ekonomik për mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra, mirëmbajtjen e parqeve, vendosjen e ulëseve, vendosjen e koshave të mbeturinave dhe nëse gjithçka shkon mirë, nëse nuk do të kemi ndonjë problem me OSHP do të fillojnë punimet gjatë tetorit dhe do të fillojmë me vendosjen e mobilerive urbane në gjithë qytetin e Prizrenit duke filluar nga Qendra Historike” tha Koqi për KALLXO.com.

Gjithashtu edhe organizata jo qeveritare ‘Ec Ma Ndryshe’ ka reaguar për gjendjen jo të mirë të monumenteve historike në qytetin e Prizrenit.

Enes Toska nga Ec Ma Ndryshe tha se për mirëmbjatjen e monumenteve kulturore e historike në Prizren mungon një stategji gjithpërfshirëse dhe vetëdijesim i qytetarëve përmes kampanjave për mos degradimin e qytetit.

“Kjo është një nga pasojat e mungesës së një strategjie gjithpërfshirëse për zhvillim të bazuar në turizëm kulturor të qytetit të Prizrenit. Monumentet varësisht nga pronësia duhet të mirëmbahen nga titullarët e tyre. Në komunë të Prizrenit kemi monumente në pronësi të nivelit qendror (Ministria e Kulturës) por edhe asete në pronësi të komunës. Edhe pse një monument mund të jetë në pronësi të institucioneve vartëse nga niveli qendror kjo nuk e arsyeton as Komunën e Prizrenit apo edhe vet qytetarët që mund të jenë degradues të ambientit të një monumenti. Në këtë drejtim mungojnë kampanjat e vetëdijësimit për mirëmbajtje të monumenteve, ambient të pastër dhe zbatim të ligjit përfshi këtu edhe gjobitjen e ndotësve” tha Toska për KALLXO.com.

Po ashtu Toska për KALLXO.com tha se këtë vit do të themelohet Zyra e Qendrës historike të Prizrenit.

“Këtë vit pritet të themelohet edhe Zyra e Qendrës historike të Prizrenit, një obligim ligjor që nga viti 2012 por që nuk është zbatuar deri më sot. Kjo zyre do të ketë rolin e njësisë menaxhuese të Qendrës Historike të Prizrenit” tregoi Toska.

Namazxhahu i cili gjendet në anën veri-perëndimorë të Prizrenit, u ndërtua nga Fatih Sulltan Mehmeti në vitin 1455, i cili shërbeu për kryerjen e ritualeve fetare të ushtrisë Osmane.

Mjeshtri dhe mbikëqyrësi kryesor ishte Ahmed Çaushi. Pas vendosjes së plotë të administrimit Osman në Prizren Namazxhahu u la pas dore pasi që në atë kohë kishin filluar të ndërtoheshin xhamitë e zakonshme. Më vonë, pasi që lokacioni i Namazxhahut ishte në periferi të Prizrenit të atëhershëm, atë e shfrytëzonin për falje bujqit që punonin tokat e tyre. Në vitet ‘50-ta të shekullit të XX-të pranë Namazxhahut u ndërtua një depo e madhe me ç’rast u shfrytëzua edhe një pjesë e materialit guror të Namazxhahut.

Sikurse gjatë ndërtimit të depos ashtu edhe gjatë ndërtimit të Ambulancës që është ndërtuar gjatë viteve ’80-ta të shekullit XX-të, janë shkatërruar varrezat e vjetra që ishin përreth Namazxhahut ashtu që tani aty kanë mbetur vetëm dy-tri sosh që tani janë shndërruar në tyrbe. Në vitin 2000 Instituti për Mbrojtje të Monumenteve të Prizrenit duke vlerësuar rëndësinë e këtij objekti ka hartuar projektin ideor për restaurimin e Namazxhahut, i cili u financua nga Qeveria e Turqisë. Me përkrahje edhe të Komunës së Prizrenit, u hartua dhe u implementua projekti i restaurimit të Namazxhanut dhe parkut rreth tij. Namazxhahu është ndërtuar me planimetri drejtkëndëshe nga gur të gdhendur të lidhur me llaç gëlqeror.

Nëpërmjet tri shkallëve ngjitet në platenë ku gjendet një mur me lartësi rreth 1 metër, ku është paraqitur nisha që e shënjon mihrabin. Në këndin e djathtë të murit gjendet minarja me bazë katrore dhe trung gjashtë këndor, të punuar nga gur të gdhendur. Namazxhahu në popull njihet edhe si Kërëk Xhamia, që domethënë Xhami e Thyer. Së bashku me ambientin përreth, Namazxhahu paraqet një monument me rëndësi historike dhe pikë karakteristike për vizitorët e shumtë në Prizren.

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending