Aktuale
Xhamia në Deçan e vitit 1851 me minare të papërfunduar sherri i përplasjeve

Puna për ndërtimin e minares në atë që njihet si Xhamia e Vjetër e Deçanit është bllokuar qysh prej fillimit të shkurtit të këtij viti.
Tash më shumë se një muaj prej se është marrë vendimi për ndalimin e punimeve, institucionet lokale dhe ato qendrore nuk kanë gjetur gjuhë të përbashkët për të bërë zgjidhje. Kontestohet ngjyra e gurëve me të cilët është ngritur pjesa më e madhe e minares së Xhamisë që mbrohet si aset i trashëgimisë kulturore që daton prej shekullit XIX.
Është e vetmja xhami në vend që minaren e ka në anën e majtë të hyrjes së saj. Në dhjetor të vitit 2017, minarja e gjatë 27 metra ishte shembur e tëra. Shkaktar i shembjes së minares së xhamisë, që gjendet në rrugën “Mehmet Uka” afër qendrës së Deçanit, ishte konstatuar se ishte era e fortë.
Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve kishte marrë përsipër që të hartonte projektin për rindërtimin e minares. Xhamia ishte restauruar më 2003, por këtij procesi nuk i ishte nënshtruar edhe minarja. Pas miratimit të projektit në komisionin e IKMM-së i njëjti i ishte dorëzuar Komunës së Deçanit. Komuna nëpërmjet një donatori kishte nisur punën pa njoftuar Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Në ditën e 11-të të shtatorit të vitit të kaluar, IKMM-ja nëpërmjet një vendimi kishte ndërprerë punimet. Por Komuna i kishte vazhduar ato, duke e ngritur minaren e gurtë në një masë të konsiderueshme.
Por më 11 shkurt në këtë çështje është futur Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore. Ka nxjerrë urdhër për ndalim të menjëhershëm të punimeve. Nëpërmjet këtij vendimi, investitori obligohet që t’i përmbahet projektit të aprovuar nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.
