Featured
Xhamia e vitit 1455 që i mbijetoi kohës
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2017/12/005.jpg)
I emëruar nga një fjalë me prejardhje persiane, që ka kuptimin e një vendi për falje-lutje, Namazxhahu i cili gjendet në anën veri-perëndimorë të Prizrenit, u ndërtua nga Fatih Sulltan Mehmeti në vitin 1455, i cili shërbeu për kryerjen e ritualeve fetare të ushtrisë Osmane.
Mjeshtri dhe mbikëqyrësi kryesor ishte Ahmed Çaushi. Pas vendosjes së plotë të administrimit Osman në Prizren Namazxhahu u la pas dore pasi që në atë kohë kishin filluar të ndërtoheshin xhamitë e zakonshme. Më vonë, pasi që lokacioni i Namazxhahut ishte në periferi të Prizrenit të atëhershëm, atë e shfrytëzonin për falje bujqit që punonin tokat e tyre. Në vitet ‘50-ta të shekullit të XX-të pranë Namazxhahut u ndërtua një depo e madhe me ç’rast u shfrytëzua edhe një pjesë e materialit guror të Namazxhahut.
Sikurse gjatë ndërtimit të depos ashtu edhe gjatë ndërtimit të Ambulancës që është ndërtuar gjatë viteve ’80-ta të shekullit XX-të, janë shkatërruar varrezat e vjetra që ishin përreth Namazxhahut ashtu që tani aty kanë mbetur vetëm dy-tri sosh që tani janë shndërruar në tyrbe. Në vitin 2000 Instituti për Mbrojtje të Monumenteve të Prizrenit duke vlerësuar rëndësinë e këtij objekti ka hartuar projektin ideor për restaurimin e Namazxhahut, i cili u financua nga Qeveria e Turqisë. Me përkrahje edhe të Komunës së Prizrenit, u hartua dhe u implementua projekti i restaurimit të Namazxhanut dhe parkut rreth tij. Namazxhahu është ndërtuar me planimetri drejtkëndëshe nga gur të gdhendur të lidhur me llaç gëlqeror.
Nëpërmjet tri shkallëve ngjitet në platenë ku gjendet një mur me lartësi rreth 1 metër, ku është paraqitur nisha që e shënjon mihrabin. Në këndin e djathtë të murit gjendet minarja me bazë katrore dhe trung gjashtë këndor, të punuar nga gur të gdhendur. Namazxhahu në popull njihet edhe si Kërëk Xhamia, që domethënë Xhami e Thyer. Së bashku me ambientin përreth, Namazxhahu paraqet një monument me rëndësi historike dhe pikë karakteristike për pjesën perëndimore të Prizrenit.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2017/12/nam-3.jpg)
????????????????????????????????????
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)