Arkitekturë
Xhamia e shekullit XVIII-të, në të cilën rifilloi jeta islame në Shqipëri
Xhamia e Plumbit apo siç njihet xhamia e Mehmet Pashë Bushatit në Shkodër është ndër xhamitë e parë në të cilën filluan ritualet nga besimtarët myslimanë në periudhën e tranzicionit pas rënies së komunizmit në Shqipëri.
Kjo xhami e cila i rezistoi shkatërrimit të objekteve në kohën e komunizmit, u ndërtua në vitin 1773 nga themeluesi i familjes së njohur të Bushatlinjve në Shkodër, ai për nder të të cilit e mban edhe emrin, Mehmet Pashë Bushati. Falja e parë u krye më 16 nëntor të vitit 1990 dhe si për rastësi kishte qëlluar ditë e premte (e xhuma), ditë kjo e shenjtë për besimtarët e fesë islame. Faljen e udhëheqte Hafiz Sabri Koçi.
Anadolu Agency ka realizuar një reportazh duke intervistuar njërin ndër nismëtarët për rihapjen e xhamisë, Abdulla Miftiajn.
“Më 16 nëntor 1990 këtu u mblodhën besimtarë jo vetëm nga Shkodra, por nga e gjithë Shqipëria, nga qytetet dhe fshatrat e vendit. Ne bëmë përgatitje disa ditë më parë që të bëhej gati për besimtarët, edhe pse kishim pengesa nga sistemi komunist. Në këtë lagje ka pasur rreth 15 xhami, por sot shumica nuk ekzistojnë pasi janë dëmtuar. Sistemi i asaj kohe na kërcënonte me burg, edhe popullsinë, besimtarët, por edhe neve që ishim si nismëtare të rihapjes së xhamisë për ti shërbyer besimtarëve. Edhe pse policia na pengonte dhe kishte rrethuar xhaminë ne nuk u ndalëm në misionin që i kishim vënë vetes. Kuptohet që nuk e kemi pasur të lehtë, kanë qenë momente të vështira”- tregon Abdulla Miftia duke rrëfyer përpjekjet e tij të 24 viteve më parë.
Ai pohon se në ceremoninë e rihapjes së xhamisë ka pasur rreth 50 mijë besimtarë nga e gjitha Shqipëria dhe thekson se shumë persona kanë dhënë kontributin e tyre për rihapjen e Xhamisë së Plumbit. “Vështirësia më e madhe ishte nga pengesat e regjimit të kohës, sidomos nga forcat e policisë që rrethonin xhaminë për të mos lejuar besimtarët që të kryenin ritet. Kujtoj momentin që Hafiz Sabri Koçin ne e morëm me makinën e qumështit për ta sjellë në xhami, në mënyrë të fshehtë, që mos të na pengonin forcat e policisë”- tregon Miftia.
Kjo xhami është dëmtuar shumë edhe nga fenomenet natyrore, si rrufeja që ka dëmtuar minaren e saj, apo edhe vërshimi i ujërave të lumenjve të zonës. Ajo e mban emrin nga metali i plumbit nga i cili është ndërtuar.
You must be logged in to post a comment Login