Trashëgimia
Xhamia e Çokut në Junik, e vjetër rreth pesë shekuj

Xhamia e Çokut në Junik thuhet se është ndërtuar pesë shekuj më parë. Juniku është njëri ndër vendet me më së shumti objekte të lashta të trashëgimisë kulturore, por xhamia mbetet njëri nga objektet me vlerën më të madhe.
Imami i xhamisë ka thënë se janë bërë disa renovime, mirëpo pritet që të bëhen edhe ndryshime të tjera që të bëhet rikthimi i kësaj xhamitë në mënyrën më të mirë.
“Xhamia është nën mbrojtjen e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve, mirëpo nga viti 2000 që është bërë një konservim nuk ka pasur investim tjetër në këtë xhami”, ka thënë ai.
Si shumica e objekteve fetare e kulturore në Kosovë edhe kjo xhami kaloi në periudha dëmtimi e shkatërrimi por ende qëndron e palëkundur. Lashtësia e saj përveç që na jep një vlerë të shtuar kulturore në vete ngërthen edhe shumë histori të banorëve të lidhura me të.
Imami gjithashtu tregoi që kjo xhami ka stilin e ndërtimit sikur kullat e zonës dhe se gurët për ndërtimin e saj janë marrë nga lumi Ereniku në Junik.
“Xhamia e Çokut është ndërtuar në vitin 1570-1571. Për atë që kur është ndërtuar e dimë, por për atë se kush e ka ndërtuar nuk e dimë, mirëpo kjo xhami është ndërtuar kryesisht nga banorët e këtij vendi sepse stili i ndërtimit të kësaj xhamie përket shumë me stilin e ndërtimit të kullave”, tha ai.
Ky vend përveç që ka shërbyer si vend fetar ka shërbyer edhe si vend takim ku janë diskutuar çështje të ndryshme kombëtare, aktivitet që janë zhvilluar shekuj më parë ende kanë vazhdimësinë e tyre, në shërbim të komunitetit dhe kombit, njofton KlanKosova.
