Aktuale
VV iu del krah banorëve të Shtërpcës, kundërshton ndërtimin e hidrocentralit
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/06/hd.jpg)
Lëvizja Vetëvendosje ka kundërshtuar ndërtimin e hidrocentralit në lumin Lepenc në Shtërpcë.
Ata thonë se po duan ta varrosin lumin Lepenc duke e futur në gyp, pasi sipas tyre, privatët duan të ndërtojnë hidrocentrale të cilat sjellin fare pak punësim dhe energji ndërkohë që shkaktojnë dëm të madh mjedisor.
Ata thonë se shqiptarët dhe serbët që banojnë në fshatin Biti e Poshtme janë bërë bashkë për rezistencë, ndërkaq disa prej tyre janë arrestuar nga Njësia speciale e policisë së Kosovës.
Sipas Vetëvendosjes, pushteti lokal dhe Komuna nuk është në mbrojtje të banorëve dhe interesave të tyre.
“Ndërtimet e egra po e dëmtojnë turizmin. Projekte të përqendruara vetëm te përfitimi i kompanive private, si hidrocentrali mbi Lepenc, shkatërrojnë mjedisin dhe dëmtojnë rëndë ekonominë e banorëve, bujqësinë, blegtorinë e turizmin”, thuhet në kumtesë.
Sipas njoftimit, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, bashkë me deputetët Xhelal Sveçla, Valon Ramadani, Arbër Rexhaj dhe Salih Zyba, me kryetarin e Qendrës së Lëvizjes, Shpejtim Arifi dhe me kryesuesin e Kuvendit Komunal të Prizrenit, Artan Abrashi, kanë vizituar sot këtë fshat dhe kanë bashkëbiseduar me banorët shqiptarë e serbë.
“Banorët kanë thënë se nëse varroset lumi do të detyrohen të shpërngulen meqenëse nuk do të mund t’i kultivojnë më mjedrat. Shtërpca është vend i turizmit dhe bujqësisë, jo i energjisë. Janë në pyetje 220 hektarë mjedra Shqiptarët dhe serbët në Biti të Poshtme thanë se nuk do ta lejojnë futjen e Lepencit në gyp”, thuhet në njoftim.
Në takim me banorët i pari i VV-së, Albin Kurti ka thënë se këtë çështje do ta ngrejë në të gjitha institucionet.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)