Aktuale
VV: Buxheti 2020 në Fushë-Kosovë nuk garanton zhvillim në asnjë sektor
Asnjë sektor, sipas opozitës, nuk pritet të ketë zhvillim me buxhetin e vitit 2020 në Fushë-Kosovë. Zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje thonë se kështu ka ndodhur qe 20 vjet. Sipas tyre, edhe për kaq kohë, qytetarët në këtë komunë ende kanë mungesë të ujit për pije, rrjet të kanalizimit, çerdhe, shkolla, etj. Por, këto i kanë mohuar zyrtarët komunalë. Ata kanë thënë se planifikimi buxhetor vazhdimisht prodhon zhvillim në të gjithë sektorët.
Shefi i Grupit të këshilltarëve të VV-së në Fushë-Kosovë, Durim Hajra, thotë se shumica e buxhetit për kapitale vazhdon të shpenzohet për asfalt e trotuare të dobëta, ndriçim pa mirëmbajtje, asflatim në prona private, subvencione për partiakët e pushtetit, etj. Hajra ka theksuar se në esencë, planifikimi buxhetor për vitin 2020 është një kopje në mungesë të kreativitetit dhe vullnetit për të përgatitur një buxhet të mirë (për të cilën ka nevojë qytetari), është vazhduar me avazin e vjetër, shkruan sot Koha Ditore.
“Para se të vijë në kuvend, për këtë buxhet është diskutuar në 3 dëgjime publike, mirëpo ne si Lëvizje Vetëvendosje kemi mbajtur edhe takime të tjera me qytetarë në disa fshatra e lagje, ku edhe kemi diskutuar për kërkesat dhe nevojat e tyre në lokalitetet ku ata jetojnë. Pothuajse për të gjithë banorët e Fushë-Kosovës kërkesat janë të njëjta, kjo si pasojë e asaj se ekzekutivi asnjëherë nuk i ka marrë për bazë kërkesat e tyre”, ka thënë Durim Hajra. “Edhe pse jemi 20 vjet pas luftës dhe afër 12 vjet pas pavarësisë, qytetarët ende kërkojnë ujë për pije, rrjet të mirë të kanalizimit, ndriçim publik, parqe, hapësira për rekreacion, hapësira të gjelbra, qendra sociale për të moshuar, çerdhe publike, shkolla”.
Sipas shefit GK të VV-së, kësaj qeverie nuk i kanë mjaftuar 20 vjet për t’i ofruar qytetarit shërbimet më elementare.