Aktuale
Vushtrria publikon vendimet që janë marrë për rrënimin e Shtëpisë së Kulturës

Ditë më parë Komuna e Vushtrrisë ka rrënuar objektin e Shtëpisë së Kulturës “Hasan Prishtina”, ani pse kryetari aktual Xhafer Tahiri pati premtuar se posa ta merrte timon e qeverisjes së kësaj komune një gjë e tillë nuk do të ndodhte.
Premtimet e tij të dhënë për rrënimin e Shtëpisë së Kulturës 7 muaj më parë, tani kryetari Tahiri po i arsyeton. Ai po thotë se mes dëmtimit financiar të komunës dhe rrënimit të Shtëpisë së Kulturës ka zgjedhur të bëjë këtë të fundit, shkruan Ndërtimi.info
Një zgjedhje të tillë ai thotë se është detyruar ta bëjë pasi që kur kishte marrë kryetarllëkun e Komunës së Vushtrrisë kishte gjetur një kontratë të nënshkruar e cila kontratë në rast se nuk do të respektohej do t’i shkaktonte humbje komunës qindra mijëra euro në proces gjyqësor.
Sipas Tahirit, vendimi për rrënimin e qendrës përkrahje i ka dhënë edhe ish kryetari i kësaj komune nga PDK, Bajram Mulaku.
Megjithëkëtë, ai në një emision televiziv tha se nuk ka asgjë për të fshehur e që më pas edhe në faqen zyrtare të Komunës së Vushtrrisë janë publikuar dokumentet siç thuhet të rëndësishme lidhur me projektin e Shtëpisë së Kulturës “Hasan Prishtina”.
Njëri ndër dokumente e para që është publikuar ka të bëjë me vendimin e Kuvendit Komunal për rrënimin e pjesshëm të Shtëpisë së Kulturës.
Në këtë dokument nënshkruar me 30 mars të vitit 2017-të thuhet, “Me këtë vendim lejohet rrënimi i pjesshëm i objektit të Qendrës së Kulturës “Hasan Prishtina”, i cili gjendet në parcelën kadastrale me nr.P-70202016-00124- në vendin e quajtur “Varosh Marshalla” e cila përfshinë një sipërfaqe prej 3313 metra katror”.
Gjithashtu në këtë dokument i nënshkruar nga kryesuesi i Kuvendit Komunal të Vushtrrisë, Shpëtim Zhegrova më tej thuhet se, “Për zbatimin e këtij vendimi obligohen Drejtoria për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit, Drejtoria për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë si dhe për Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport”.
Vendimi për këtë sipas këtij dokumenti ishte paraparë të hynte në fuqi 15 ditë pas regjistrimit në Zyrën e Protokollit të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal si dhe pas publikimit në faqen zyrtare të Komunës së Vushtrrisë.
Ndërsa, dokumenti i dytë i publikuar nga komuna është edhe Memorandum Bashkëpunimi lidhur mes Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komunës së Vushtrrisë për projektin e qendrës së re të kulturës.
Projekt ky që do të kushtojë mbi 1 milion euro dhe do të financohet nga institucionet e lartcekura.
Kurse dokument i tretë është edhe letra e Komunës drejtuar MKRS-ës, ku kjo e fundit njoftohet me atë që me qëllim të vazhdimit të procedimit të projektit është e nevojshme që MKRS të konfirmoj me shkrim gatishmërinë e saj për zbatimin e aneks memorandumit të bashkëpunimit për projektin.
Në objektin e shtëpisë së kulturës deri në kohën e fillimit të rrënimit të saj kanë funksionuar biblioteka e qytetit, teatri i qytetit, muzeu i Vushtrrisë, ansambli i këngëve dhe i valleve, qendra rinore dhe disa organizata të tjera.
Projekti i ri i ndërtimi të qendrës së re të kulturës ngre shumë pikëpyetje se sa do jenë hapësirat e saj pas ndërtimit dhe nga kush do të shfrytëzohen, e a do të ketë hapësirë të mjaftueshme për të gjitha këto institucione që kanë operuar brenda saj.
Ajo çka dihet deri me tani është se Vushtrria më nuk e ka qendrën e vjetër të kulturës, e cila përveç emrit që mbante në pjesën e përparme të saj mbante edhe një fotografi të madhe të patriotit Hasan Prishtina e cila nuk është më.
Kundër rrënimit të këtij objekti kritika ndaj kryetarit Tahiri pati edhe ish-drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nga radhët e PDK-së, Shpresa Rama.
