Aktuale
Vushtrria pritet të bëhet me zonë industriale

Pas zonës industriale në Komunën e Suharekës dhe asaj në Drenas, përmes një buxheti prej 1.2 milion eurosh, pritet edhe ndërtimi i zonës së tretë në vend, në Komunën e Vushtrrisë.
Në këtë projekt, që mori pëlqimin e Ministrisë së Tregtisë, parashihet vendosja e 19 bizneseve dhe përparësi do të kenë bizneset të cilat do të kenë numrin më të lartë të punëtorëve të rinj që i punësojnë, raporton KTV.
Një pjesë e hapësirës do të jetë për prodhuesit e produkteve të drurit dhe llojet e tjera të biznesit, ndërsa mundësi do t’u jepet edhe investitorëve nga diaspora.
Sipas parashikimeve të komunës, në këtë parashihet të punësohen deri në 1000 punëtorë të rinj.
Berat Rukiqit nga Oda Ekonomike e Kosovës thotë se është i mjaftueshëm numri i tri parqeve të biznesit në një vend si Kosova.
Këto zona, sipas tij, janë të mbushura me numër të konsiderueshëm të bizneseve, mirëpo kanë mungesë të kushteve infrastrukturore si brenda zonës, ashtu edhe për eksport të mallrave.
Lehtësimi i procedurave për fillimin e biznesit si dhe marrja e kredive, sipas Raportit të Bankës Botërore, ka ndikuar pozitivisht në të bërit biznes, duke e ngritur vendin në 20 vendet e para.
Megjithatë, në Raportin e Progresit thuhet se Ligji për Zonat Ekonomike nuk është në përputhje me rregullat dhe ligjet e Bashkimit Evropian.
Institucionet kishin vazhduar zbatimin e pjesshëm të rekomandimeve që u dhanë në raportin e 2016, duke vazhduar kritikat për zvogëlimin e barrën administrative si dhe harmonizimin e ligjit për Zonën Ekonomike me atë të BE-së.
Në fushatat zgjedhore të viteve të kaluara, zona të tilla ekonomike u janë premtuar edhe Komunës së Prizrenit dhe Gjakovës.
Ndërsa, Ministria, para pak kohësh, ka miratuar ndërtimin e një zone edhe në Viti. Përkrahje është kërkuar edhe në Gjilan.
https://video.gjirafa.com/koha?video=zona-industriale-vushtrri
