Aktuale
Vonesa “masive” në restaurimin e Shtëpisë së Xhafer Devës, ministria arsyetohet

Në mars të këtij viti nisën punët për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës në qendër të Mitrovicës pasi që ishte përfshirë nga zjarri, tre vite më parë.
Shkruan: Shkëndije Ahmeti
Punët që nisën me 9 mars, parashiheshin të realizoheshin brenda 80 ditëve. Megjithatë një gjë e tillë nuk ndodhi as pas 245 ditëve.
E tëra çka vërehet prej punimeve janë disa pjesë të kulmit, duke mos u prekur muret dhe pjesët e tjera kryesore, shkruan Ndërtimi.info
Kurse në hapësirat rrethuese, e cila në Ligjin e Trashëgimisë Kulturore është pjesë e objekteve nën ruajtje të institucioneve, nuk ka lëvizur e as nuk është zëvendësuar me ndonjë material mbrojtës.
Për gjithë këtë zvarritje të punimeve në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS) po kanë arsyetime.
Shefi i Kabinetit në MKRS, Samir Hoxha për Ndërtimi.info tha se punimet kanë shkuar mirë ani pse me dinamikë të ngadalësuar, duke e arsyetuar në atë se kjo është karakteristikë që i përcjellë punimet në asetet e trashëgimisë kulturore.
“Përkundër problematikës që ka pas dhe ka ndërtesa, punimet kanë shkuar kryesisht mirë por me një dinamikë të ngadalësuar (karakteristikë kjo që i përcjell punimet në asetet e trashëgimisë kulturore ) kurse ne rastin konkret edhe për shkak te djegës qe ka pësuar ndërtesa, procedurave tjera ne vazhdim si pastrimi, revidimi dhe hartimi i projektit te ri konform gjendjes se krijuar. Përpos punimit të shkallëve të brendshme (përdhesë dhe katin e I-rë, ato të bodrumit janë realizuar) si dhe disa punimeve përmbyllëse rreth detajeve të mbulesës së kulmit dhe punimit të kokave të oxhaqeve, të gjitha punimet tjera kanë përfunduar”, ka thënë Hoxha.
Hoxha po thotë se restaurimi i shtëpisë do të bëhet në këtë vit dhe se mbikëqyrësit në teren janë duke për përpjeke për të eleminuar vonesat.
“Operatori Ekonomik sipas situacionit të I-rë, ka realizuar vlerën prej 58,568.51 euro ose 50.92 % të shumës totale të vlerës së punimeve të kontraktuar. Punimet do të përfundojnë këtë vit kurse vazhdimi dhe funksionalizimi i ndërtesës presim te behet vitin e ardhshëm. MKRS ne bashkëpunim me departamentet përkatëse, ne ketë rast DTK , institucionet vartëse dhe organet mbikëqyrëse ne terren janë duke bere përpjekje maksimale për te eliminuar vonesat dhe ne te njëjtën kohe do te veproje ne baze te raporteve te tyre duke zbatuar dhe masa ndëshkuese ne përputhje me mos përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive”, potencoi ai për Ndërtimi.info.
Kujtojmë që edhe në 2017-ën kishte filluar të bëhet restaurimi dhe konservimi i shtëpisë së Xhafer Devës, restaurim ky që nuk shkoi drejt finalizimit.
Shtëpia e Xhafer Devës ishte ndërtuar nga arkitektë dhe ndërtues austriakë në vitin 1930 në qendrën e vjetër të qytetit të Mitrovicës. Duke u radhitur kështu ndër objektet e para në Kosovë që është ndërtuar në stil të arkitekturës moderne euro-perëndimore dhe me elemente të veçanta dekorative.
Fillimisht shtëpia kishte qenë pronë e Xhafer Devës i cili ishte prefekt i Mitrovicës e më pas Ministër i Brendshëm i Qeverisë Shqiptare në kohën e pushtimit italian dhe Gjerman në vitet 1943-1944. Por pas Luftës së Dytë Botërore shtëpia kaloi në pronësi shoqërore asi e gjithë pasuria e Devës ishte konfiskuar nga pushtuesit komunist. Deva i përndjekur nga pushteti komunist emigroi në SHBA dhe vdiq në vitin 1978.
Pas luftës, shtëpia ka shërbyer si ambulancë dhe më pas si strehimore për familjet e pastreha.
Shtëpia fillimisht kishte karakter banimi. Ky objekt kryesisht e ka ruajtur gjendjen fillestare të ndërtimit. Shtëpia e lartpërmendur, është ndërtuar nga Xhafer Deva, njëri prej personaliteteve më të shquara të këtij rajoni.
Shtëpia me etazhitet B+P+2, i takon tipit të shtëpive me doksat dhe qoshk. Karakteristikë e shtëpisë është se në mesin e fasadës veriore është i paraqitur qoshku (çardaku i mbyllur) ndërsa në fasadën jugore, pamje kjo nga rruga, paraqitet doksati. Në fasadën jugore janë ruajtur elementet dekorative të kohës. Përdhesa funksiononte si hapësirë afariste, ndërsa kati, shfrytëzohet si etazh banimi duke e ruajtur kështu, funksionin për të cilën edhe është ndërtuar./ndertimi.info/
