Aktuale
Vlerësohet shqetësuese gjendja e ndërtimeve në Kosovë në rast tërmeti
Tërmeti i cili ndodhi gjatë ditës së sotme në Shqipëri me magnitudë 6.4 solli shkatërrime të mëdha atje, si pasojë qindra të plagosur dhe dhjetra të tjerë të vdekur.
Uran Haxha, nga Ndërtimi.info në emisionin Debat Plus, e shprehu shqetësimin e tij në lidhje me gjendjen e ndërtimeve në Kosovë, nëse do të ndodhte një tërmet i tillë edhe këtu.
Ai tha se gjendja e digave në Kosovë është problem i madh, së bashku me objektet e trashëgimisë kulturore, prandaj ato do të duhej të testoheshin nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
“Gjendja e digave të Kosovës, në rast të ndonjë tërmeti, bashkë me to janë problem edhe objektet e vjetra në Kosovë. Digat në rast të ndonjë tërmeti të madh do të mund të bënin dëm më shumë se shembja e dy banesave. MMPH-ja duhet ti testojë digat, a mund ta mbajnë peshën e ujit”, tha Haxha.
Po ashtu, sipas tij janë 352 mijë objekte pa leje dhe të ndërtuara pa ndonjë kriter në territorin e Kosovës. Inspektorati nuk shkon në vendet ku bëhen punimet, prandaj objekti përfundon. E arsyetimi për këtë është se nuk ka inspektorë të mjaftueshëm.
Ai gjithashtu, tha se në rastet kur ndërtesat janë shumë afër njëra-tjetrës rreziku i shkatërrimeve nga tërmete të tilla janë shumë të mëdha. Ashtu siç ka mjaft, sidomos në Prishtinë.
Të njejtën gjë e thanë edhe drejtori i Insitutit Seizmologjik, Shefki Mustafa dhe Hamdi Sylejmani, profesor i statistikës.
Mustafa tha se nëse do të ndodhtë një tërmet nga 6.0 deri në 6.2 shkallë në njërën nga pjesët të Kosovës, do të mund të shkatërronte ndërtimet shumëkatëshe të Prishtinës.
“Komuna i ka përgjegjësite e veta sepse nuk duhet të jepet leja pa u plotësuar kriteret”, tha ai.
Sipas Mustafës do të duhej të kërkohej cilësia e ndërtimeve në përballjet me tërmete, në këtë rast do të shtohej trefishi i kritereve nga investitorët. Por meqë interesi për përfitim është më i madh kjo nuk ndodh.
E Sylejmani tha se nëse e shohim nga aspekti i standardeve që janë vendosur janë standarde të nivelit evropian, por interpretimet në aspektin ligjor nuk janë në nivelin e duhur.
“Mbikqyrjet e inspekcionet nuk janë në nivel, sepse do të duhet që nga fillimi e deri të fund që të mbikqyrej punimi. Investitori për të kursyer e ndryshon largësinë ndërmjet ndërtimeve. Edhe ata që kontrollojnë nuk duhet të lejojnë këto ndërtime”, është shprehur Sylejmani.