Aktuale
Vjet, shumë komuna pa fije transparence në prokurimin publik

Transparenca në prokurimin publik në shumë komuna të Kosovës gjatë 2017-s ishte në nivelin zero. Sipas një hulumtimi të Institutit Demokratik të Kosovës, është vërejtur trend negativ sa i përket publikimit të dokumenteve të prokurimit në faqet zyrtare. Ambasadori amerikan iu kërkoi komunave reforma në prokurim për ta luftuar korrupsionin.
Nëntë komuna në nivel vendi, kryesisht ato me shumicë serbe, nuk janë aspak transparente në raport me publikimet e prokurimit publik.
Hiq më mirë nuk qëndrojnë as komunat e tjera, të cilat ndonëse janë të obliguara me ligj t’i bëjnë publike të gjitha llojet e kontratave të prokurimit publik, shumë nga to nuk e kanë bërë një gjë të tillë.
Kështu është thënë gjatë prezantimit të një raporti të publikuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, sipas të cilit, janë 23 komuna, te të cilat niveli i transparencës është zero.
Komuna më transparente, sipas këtij hulumtimi janë Komuna e Vitisë, e Lipjanit si dhe e Kamenicës.
I pranishëm në këtë prezantim ishte edhe ambasadori amerikan, i cili tha se në këtë aspekt shumë komuna kanë mbetur mbrapa.
Raportet tha se duhet të shërbejnë për reforma në prokurim, rritje të transparencës, në mënyrë që të luftohet korrupsioni.
“Me ligj, komunat duhet t’i publikojnë kontratat në ueb faqe, por ky raport na tregon se disa komuna janë mbrapa. Shumë komuna nuk kanë mbajtur dëgjime publike. Shpresoj që komunat të mbajnë më shumë të tilla”
Zyrtarë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal thanë se fakti që nëntë komuna nuk kanë lejuar qasje në dokumentet publike tregon për mostransparencë.
E kryetari i Komunës së Gjilanit pati një vërejtje për qeverinë, e cila sipas tij, nuk po e lejon që të punësojë njerëz të tjerë në Zyrën e Prokurimit, derisa shtatë të tjerë janë të suspenduar për shkak të dyshimeve për vepra korruptive.
Disa nga kryetarët e pranishëm thanë se brenda kësaj jave do të bëhen publike të gjitha kontratat e stafit të tyre nëpër faqet e tyre zyrtare.
Vonesat në këtë drejtim, sipas tyre, kanë ardhur për shkak të numrit të vogël të zyrtarëve për informim, të cilët nuk kanë mundur që në kohë t’i publikojnë ato.
