Aktuale
Vjet, deficit tregtar 7.6 për qind më i lartë se një vit më parë

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për vitin 2017.
Në këtë publikim të statistikave të tregtisë së mallrave janë dhënë më gjerësisht shumë sqarime, në detaje, për atë se çka eksporton vendi ynë në tregun e jashtëm dhe çka importon nga tregu i jashtëm.
Të dhënat nga tregtia e mallrave në Kosovë, në vitin 2017, tregojnë për një deficit tregtar në vlerë prej 2 669.0 milionë Euro, ose shprehur në përqindje, deficiti tregtar është më i lartë për 7.6%, krahasuar me 2016. Pra, edhe në këtë vit ishte bilanci negativ. Totali i eksporteve në këtë vit ishte 378.0 milionë Euro, ndërsa totali i importeve ishte 3 047.0 milionë Euro. Eksporti mbulon importin për vetëm 12.4%.
Duke krahasuar të dhënat e eksporteve për mallrat kosovare gjatë vitit 2017 me ato të vitit 2016, shifrat tregojnë se ka një rritje vjetore për 22.1%. Rritje, që ka edhe më tutje bilancin negativ tregtar të Kosovës.
Në eksport rritje kishin artikujt prej guri, allçie, prodhimet e qeramikës dhe qelqit, në vlerë rreth 6.4 milionë eurosh, krahasuar me 3.5 milionë euro, ose 1.7% të eksporteve të përgjithshme, me rritje prej 81.3%.
Të dhënat e tregtisë së mallrave për importin e Kosovës, në vitin 2017, kanë shënuar një rritje vjetore rreth 9.2%, duke krahasuar me vitin paraprak, 2016.
Ndërsa, druri dhe artikuj nga druri kanë shënuar rritje të importit, në vlerë rreth 77.1 milionë Eurosh, krahasuar me 72.6 milionë Euro, ose 2.5% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 6.3%
