Aktuale
Vjeshta do e gjejë Prishtinën me autobusë, stacione dhe linja të reja
Vjeshta do ta gjejë Prishtinën me të gjithë 51 autobusët, pasi pjesa e dytë e tyre pritet të arrijë kur të përfundojnë rinovimet e garazheve në kompleksin e ndërmarrjes “Trafiku Urban”.
Zyra për Informim e komunës së Prishtinës, në një përgjigje për “Indeksonline” ka bërë me dije se rinovimi i garazheve pritet të përfundojë në fillim të tetorit, kurse atëherë do të vinë edhe pjesa tjetër e autobusëve.
“Në bazë të marrëveshjes me BERZh, autobusët e rinj vijnë pas renovimit të garazhës për mirëmbajtjen e tyre. Kompania punëkryese është duke punuar intensivisht dhe pritet që gjithçka të përfundojë në fillim të tetorit. Në këtë afat kohor kanë ndikuar punët shtesë të domosdoshme në renovim të garazhës, janë nënshkruar kontrata shtesë dhe procedura shtesë të prokurimit”, thuhet në përgjigjen e komunës.
Zyra për Informim ka shtuar se si pjesë e projektit janë edhe stacionet e reja që do të ndërtohen nëpër Prishtinë, gjithashtu edhe linjat që do të futen nëpër lagjet e reja të Prishtinës.
“Në të njëjtën kohë, si pjesë e projektit të reformimit të transportit publik, është duke u hartuar Plani i Mobilitetit me punë dinamike që pritet të përfundojë shumë shpejt. Së këndejmi, vjeshta do ta gjejë Prishtinën me stacione të reja, linja të reja dhe plot 51 autobusë të rinj urban”, sqarohet tutje në përgjigjen e tyre.
Kujtojmë se në shtatorin e vitit të kaluar ishte arritur marrëveshja për furnizim me autobusë mes ndërmarrjes “Trafiku Urban” dhe kompanisë çeke “Iveco”, e cila ishte fituese e tenderit për furnizimin e Prishtinës me autobusë urbanë.
Projekti ishte mbështetur me një kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh).
Pjesa e parë e autobusëve kishte arritur në kryeqytet më 30 dhjetor të 2016-ës.