Aktuale
Vjen deklarimi i MKRS-së për çështjen “Gërmia”

Me t’u përmendur ideja për rrënimin e mundshëm të objektit të ish-Gërmisë nga Komuna e Prishtinës dhe zëvendësimi i saj me Sallën Koncertale, organizata për mbrojtjen, promovimin dhe konservimin e lëvizjes moderne “DoCoMoMo Kosova” organizoi një peticion i cili kundërshton rrënimin e këtij objekti. Peticion ky që më pas do t’i dërgohet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) për të kërkuar nga ta, që sa më parë ta mbrojë ligjërisht këtë objekt dhe kështu parandaloj demolimin e tij.
E në MKRS po thonë se po e përcjellin me vëmendje këtë shqetësim. Për këtë shefi i Kabinetit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Samir Hoxha, për Ndërtimi.info tha se kanë kërkuar nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë dhe Instituti i Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve të angazhojnë njësitet dhe punonjësit e tyre të specializuar për të analizuar me konsistencë profesionale dhe ligjore të gjithë debatin e ngritur.
“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit së bashku me institucionet e specializuara nën vartësinë e saj, të cilat kanë për mandat zbatimin e detyrave, përgjegjësive, masave dhe legjislacioni përkatës për ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturorë po e përcjellin me vëmendje këtë shqetësim. Kabineti i Ministrit, ka kërkuar nga institucionet vartëse, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë dhe Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve të angazhojnë njësitë dhe punonjësit e tyre të specializuar për të analizuar me konsistencë profesionale dhe ligjore të gjithë debatin e ngritur”, ka thënë Hoxha.
Hoxha thotë se ndërtesa në fjalë i është nënshtruar vlerësimit dhe inventarizimit dhe për pak ditë do të dalë komisioni përkatës po edhe vet ministri i MKRS-së, Kujtim Gashi me një vendimmarrje të analizuar lidhur me këtë ndërtesë.
Hoxha ka shtuar se Ministria siguron opinionin publik se do të analizohen të gjithë faktorët dhe kriteret relevante dhe do të vendoset në të mirë të ruajtjes dhe mbrojtjes së çdo aseti apo ndërtese që bartë në vete tregim.
“Informacionet tona, nga institucionet relevante, janë se ndërtesa në fjalë, i është nënshtruar procesit të vlerësimit dhe inventarizimit dhe për fare pak ditë, Komisionet përkatëse, por edhe vet ministri, do të dalin me një vendimmarrje të analizuar lidhur me këtë ndërtesë. Ministria siguron opinionin publik se do të analizohen të gjithë faktorët dhe kriteret relevante dhe do të vendoset në të mirë të ruajtjes dhe mbrojtjes së cdo aseti apo ndërtese që bartë në vete tregim, vlerë, histori dhe kuptim për faza të rëndësishme të së kaluarës tonë. Do të veprojmë kështu, sepse e kemi detyrë dhe mandate themelore bazuar në Kushtetutë dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës”, ka thënë Hoxha për Ndërtimi.info
Reagime të shumta dhe debat në rrjetet sociale pati rreth kësaj, por i pari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti tek dje përmes një postimi në facebook, ka thënë se së shpejti planifikohet të mbahet një debat lidhur me temën e cila ditëve të fundit ka ngjallur mjaft reagime.
Bëhet fjalë për Sallën Koncertale, që është paraparë të ndërtohet në ish-ndërtesën “Gërmia”.
Kundër kësaj ideje, për të cilën kujtojmë se ende nuk është marrë ndonjë vendim për rrënimin e ish-objektit Gërmia, kanë dalë edhe shumë artisë me emër, e madje, u krijua edhe një peticion.
Kryetari Ahmeti thotë se Komisioni Evropian është interesuar të investojë me 15.4 milionë euro por me kushtin që salla të ndërtohet në një lokacion në qendër, e Ahmeti, thotë se ish-objektin “Gërmia”, e ka parë si objekt që i përmbush kërkesat. Thotë se është kundër rrënimeve të objekteve kulturore, por “Gërmia”, nuk është përfshirë tek Instituti për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.
Tutje Ahmeti ka thënë se do mbahet një debat publik, dhe e ka përmendur si lokacion të mundur Kino Armata, por ka thënë se nuk do të lejohen sulmet e fyerjet, e madje ka thënë se ata që e kundërshtojnë duhet të japin arsye të forta, se pse një gjë e tillë nuk është e mundur.
