Aktuale
Viti im i parë te Media Ndërtimi

Për 1-vjetorin e Medias Ndërtimi
“Hej Ndërtimi, deri ku keni mbrri me ndërtim”, ka qenë dhe vazhdon të jetë një prej frazave që më së shumti më thuhet duke ba shaka mes vete me kolegët e mi gazetarë që punojnë në pothuajse të gjitha mediet e vendit.
Për shumë prej tyre që më shumë se sa kolegë kemi shoqëri të rryer e të pjekur në shumë ngjarje kur natonim nëpër rrugët e Prishtinës që shpesh digjeshin dhe mbanin erë të gazit lotsjellës, njoftimi se po lë punën në “Kohë Ditore” e po shkoj “te një media që dojmë me shkru veç për ndërtim, arkitekturë edhe sene të fushës” ka qenë pak çuditës.
Deri atëherë nuk kishte një media që ishte profilizuar në këtë fushë, sikur nuk ka një të dytë as sot. E sikur mos të kishim një përkrahje, që e kemi nga Valoni (Vataj), atëherë gjithsesi se do të ishte vështirë.
Në fakt, nuk ka qenë një vendim “ad hoc”. U mendua mirë e mirë, por jo edhe të gjitha gjërat ishin menduar mirë. Pritjet e mia nuk ishin që ne të kishim një lexueshmëri sikur të portaleve që publikojnë gjithçka, gjithashtu pritja ishte që mosha e lexuesve të fillojë nga 25 vjeç. Të dyjave ia kam qëllu, por një gjë tjetër nuk e kisha mendu mirë.
Që të shkruash për këtë fushë nuk mjafton të jesh vetëm gazetar, apo të mendosh që je gazetar. Është dashur më pak se një vit që të konsolidohet një staf i mirëfilltë që sot shkruan për shumë ngjarje.
Shkëndija, Kushtrimi e Arjeta, besa edhe unë, shkruajmë për tendera, për rrugë të papërfunduara mirë, për objekte që i ndërtojnë jo-mirë, për punëtorë që bien nga katet e larta, për ata punëtorë që vdesin në punë e institucionet dënojnë kompaninë me 7,500 euro, e shumë të tjera. Teksa në anën tjetër Agnesa spikat përkthime të kokave të arkitekturës që t’i sjellim risi profesionistëve, bashkë me shumë projekte që ua marrin sytë të gjithëve.
Një nga lëvdatat e mëdha që i marrim është kualiteti i videove dhe puna profesionale në to, e aty kush tjetër shkëlqen përpos Argjendit.
Realisht është shumë e lezetshme fusha e ndërtimit, që mua personalisht më tërheq më shumë kah arkitektura. Duke pasë tashmë raporte të ngushta me shumë arkitektë, ndjehesh mirë për idetë, për analizën, për kritikën që ka munguar, e për shumë cilësi tjera të cilat i sheh që po i mëson.
Profesionalisht më ka përmbushur për një vit një punë e tillë, por që shoh që do vazhdon të bëhet edhe më e përmbushur. Planet tona nuk janë të vogla. Ne tashmë po e realizojmë një emision për ndërtim, por që nuk do të përfundojë me kaq.
Ajo që do të jetë risi nga tetori do t’i dedikohet studentëve të këtyre fushave që mbulojmë, teksa priten edhe seri tjera shkrimesh nga profesionistët, në kajde të fejtonit nga kryeqendrat botërore ku ata studiojnë.
Media Ndërtimi do të vazhdojë tutje në krah me gjithë juve!
Uran Haxha – kryeredaktor
