Arkitekturë
Vintage, një apartament me buxhet të kufizuar

Ideja për t’u marrë me një apartament, i cili do të jepej me qira, ishte ngazëlluese.
Kjo, sepse nga njëra anë, meqenëse nuk ka banorë konkretë e me kërkesa specifike, të jep më shumë liri dhe fantazi, ndërsa nga ana tjetër, fakti që do të banohet në periudha të caktuara nga njerëz të ndryshëm, e bën gamën e zgjedhjeve shumë herë më të madhe.
Por, faktori më i rëndësishëm është që buxheti në dispozicion, është i
kufizuar, shumë kompakt, dhe për të pasur një interier me stil e me kosto të reduktuara, përveçse duhej bërë kujdes në përzgjedhjen e finiturave, edhe zgjedhja e mobilieve dhe aksesorëve mori kohë dhe fantazi. Megjithatë, patëm fat në gjetjen e tyre. Pothuajse I gjithë apartamenti u arredua me mobilie vintage: pra, u ricikluan nga banesa të tjera. Çdo artikull i përdorur aty, është përdorur më parë diku tjetër.
E njëjta situatë ishte edhe me sallonin. Kishim në dispozicion një kuzhinë me një kompozim të caktuar, në një finiturë pak demode, siç është qershia, në format pak country dhe me doreza qeramike. Mënyra më e përshtatshme për ta bërë aktuale si finiturë, ishte ta vendosnim mbi një sfond të kaltër e ta shoqëronim me pllaka të pikturuara me dorë, në blu kobalt. Mobiliet e dhomës së gjumit, të cilat janë të Ikeas, u morën nga shtëpia e mëparshme e të zonjës së apartamentit. Duke qenë se finitura e zbehtë dhe skandinave e këtyre mobilieve kishte nevojë për pak ekzaltim, lyerja dhe të gjithë aksesorët, u zgjodhën me ngjyra pikante.
Kornizat dhe pikturat janë ricikluar nga zyra e shtëpi të mëparshme, po ashtu, edhe qilimat. Raftet metalike janë marrë nga një dyqan që u mbyll. Disa prej tyre i përdorëm për të krijuar bibliotekën pas kolltukëve, disa përmbys, për tavolinë mesi, e disa i premë në dysh, për të formuar mbajtësen e tv.
Të gjitha këto bënë që në fund, bilanci të rezultonte
shumë I kënaqshëm e impakti të ishte shumë pozitiv.
Shumë prej aksesorëve janë blerë nëpër tregje të vjetër, brenda e jashtë vendit. Përfshirë këtu edhe ndriçuesit.
