Connect with us

Aktuale

Villat bregdetare në Shqipëri nuk po blihen nga të huajt, shkaku POLITIKA

Published

on

Polakë, ukrainas, suedezë dhe italianë kanë vënë nën shënjestër pasuritë e paluajtshme në bregdetin shqiptar. Megjithatë Xheni Jahja nga Tirana Real Estate thotë se të huajt po stepen të blejnë, për shkak të disa prej ngjarjeve politike.

I këtij mendimi është edhe Eron Çumani nga Saranda Invest Property. Blerësit e huaj ndikohen ndjeshëm nga situata politike për rezervimet. Z. Çunami parashikon se do të penalizohen nga politika në numrin e transaksioneve.

Në krahasim me 2018-n, për Jonian Antonin nga Century 21, kërkesa ka qenë pothuajse e njëjtë për të huajt. Ai shpjegon se për të huajt, zona ku blejnë nuk ka rëndësi. Peshë ka distanca jo më shumë se një orë larg nga aeroporti, infrastruktura e mirë rrugore, por edhe infrastruktura e shërbimeve.

Ilir Konomi thotë se vijojnë të punojnë me klientë të huaj. Më të interesuarit janë polakët, që zënë kërkesën kryesore, edhe pse në numra mbeten modestë, dhe suedezët. Konomi shpjegon se është në rritje kërkesa nga të huajt për Vlorën. Zona ka reflektuar njëkohësisht edhe rritje në çmime të pronave, ndonjëherë edhe artificiale.

Duke qenë se kërkesa ka qenë në rritje dhe oferta në vendnumëro, kjo ka sjellë rritje të çmimeve, shpjegon Çumani. Për Sarandën, ai shprehet se klientela e preferuar vijojnë të mbeten polakët. Në vijën e parë të detit pronat fillojnë nga 1300 euro/m². Çmimet e pronave në këtë qytet janë rritur me të paktën 10% – pohon Konomi.

“Italianët vijnë shumë, por kërkojnë shumë lirë, janë klientë të vështirë, ndërsa polakët mirë në numra, kanë edhe emigracion shumë të cilët jetojnë jashtë dhe kanë para për të blerë”,- shtoi ai. Për Durrësin, ai shprehet se ka kërkesë, por me të huajt punojnë kryesisht me Gjirin e Lalëzit, në komplekset dhe fshatrat turistikë që kanë standard në ndërtim dhe shërbime. Në fshatrat turistikë, çmimet variojnë 800 deri në 900 euro/m² për apartamentet, ndërsa vilat 1000-1100 euro/m².

Vilat në bregdet po tërheqin të huajt

Kompani që po zhvillojnë projektet në bregdet vlerësojnë se kërkesa për të blerë mbetet e lartë. Ka një lloj diversifikimi të blerësve, të cilët nuk janë më tipikisht shqiptarët e diasporës. Sigurisht, ata vijojnë të mbeten pjesa e rëndësishme e blerësve por sot, për herë të parë në Shqipëri, po kërkojnë të blejnë nordikët, izraelitët, rusët, ukrainasit. E gjitha kjo është e lidhur me tendencën që ka pasur edhe turizmi. Ka pasur të zhgënjyer që nuk duan të kthehen më në Shqipëri, nga ata që thjesht duan të mbeten turistë, ndërkohë që ka edhe nga ata që duan të kenë një pasuri të paluajtshme për t’u rikthyer si turistë apo banorë të përhershëm.

Ledia Telhai, nga “Balfin Real Estate”, konfirmon se të paktën në dy projekte të rëndësishme të kompanisë, blerësit janë shqiptarë dhe të huaj nga vende të ndryshme të Europës, por jo vetëm. Konkretisht në “Green Coast”, interes kanë shprehur blerës nga Zvicra, Austria, Italia, por edhe nga vende më larg si: Izraeli, Rusia, Shtetet e Bashkuara apo Anglia. Gjithsesi, deri më tani, 60% e blerësve janë shtetas shqiptarë. Në “Vala Mar Residences”, në Hamallaj, rreth 75% janë shtetas shqiptarë dhe pjesa tjetër është nga diaspora, shtetas të Kosovës, si dhe vendet nordike.

Të njëjtën tendencë konfirmon edhe kompania “Concord Investment”, e cila po zbaton një seri projektesh përgjatë bregdetit, duke nisur nga “San Pietro Resort” tek “Palasa Resort” dhe së fundmi edhe “Kep Merli”. Kompanitë nënvizojnë se grupi i atyre që po blejnë vilat në bregdet varion, por nuk mungojnë moshat e thyera, të cilat kanë edhe mjetet e nevojshme financiare për të investuar në një pasuri të kësaj natyre. Nuk janë të pakta rastet kur pensionistë të huaj kanë zgjedhur të jetojnë në Shqipëri prej kostos së ulët të jetesës në raport me vendet e tyre dhe duket se një grup i vogël do të jenë edhe banorë të këtyre fshatrave turistikë.

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending