Aktuale
Vihet gurthemeli për ndërtimin e një shkolle në Fortesë të Rahovecit
Në fshatin Fortesë të Rahovecit është vënë gurthemeli për ndërtimin e objektit të ri të shkollës fillore të mesme të ulët “Liria”, projekt ky i cili kap shumën 759 mijë euro.
Kryetari i komunës se Rahovecit, Smajl Latifi tha se ndërtimi i kësaj shkolle ka qenë jetik për nxënësit dhe mësimdhënësit e Fortesës.
Sipas tij, kjo shkollë do t’i plotësojë nevojat për mësimdhënie dhe mësimnxënie pasi që krahas shkollës do ketë edhe objekte tjera përcjellëse.
Latifi tha se renovimi i shkollës së mëhershme ka qenë i pamundur pasi që pozita e shkollës ka qenë jo e përshtatshme dhe në kohën e shirave gjithnjë është vërshuar.
“Objekti i ri i shkollës fillore ‘Liria’ në Fortesë ka qenë jetik, mëse i nevojshëm dhe i domosdoshëm pasi objekti ekzistues është në pikën më të ulët dhe sa herë që ka rënë pak shi dhe pak vërshime pothuajse kati i parë ka qenë i mbuluar me ujë. Dhe asnjë mundësi për renovim të objektit ekzistues nuk ka pasur sepse investimet do ishin të paqëndrueshme. Si rezultat i një analize të njerëzve që e njohin këtë fushë kemi marr rekomandim që të nisim një objekt të ri që është funksional e modern që ka edhe sallën e edukatës fizike dhe mjediset përreth shkollës do jenë të rregulluara mirë. Standardet janë të larta të kushteve që do plotësojë për mësimdhënie dhe mësimnxënie. Natyrisht vlera e kontratës është 759 mijë e ca euro”, u shpreh Latifi.
Ndërsa, drejtori i shkollës fillore “Liria”, Elhami Zhuniqi tha se ndërtimi i shkollës së re do të ndikojë në rritjen e cilësisë në arsimim.
“Një ambient i përshtatshëm dhe komod mësimor ndikon në rritjen e mësimdhënies dhe mësimnxënies do të thotë ka me ndikuar shumë, do ndihmojë shumë në këtë aspekt” , u shpreh Zhuniqi.