Aktuale
Vihet gurthemeli i Shkollës së Mesme Profesionale në Ferizaj

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka vizituar Qendrën e Kompetencës në Ferizaj. Ai ka vënë gurthemelin e Shkollës së Mesme Profesionale së bashku me kryetarin e Komunës, Agim Aliu, me të cilin ka biseduar për bashkëpunim në fushën e arsimit.
“Shpreha kënaqësinë time për punën që po bëhet në përgatitjen e nxënësve për tregun e punës në Qendrën e Kompetencës, e po ashtu edhe për vënien e gurthemelit të shkollës profesionale dhe më pas, fola edhe për rëndësinë që ka arsimi dhe aftësimi profesional në të ardhmen e të rinjve tanë dhe zhvillimit ekonomik të vendit.”, ka thënë ai.
Ai ka vlerësuar se Qendra e Kompetencës është si një shkollë model.
“Urova qytetarët e Ferizajt për fillimin e ndërtimit të shkollës së re, e cila do t’iu krijojë mundësi nxënësve që në kushte shumë më të mira të marrin kompetencën dhe dijen e nevojshme. Ne jemi zotuar edhe si Ministri, por besoj edhe pushteti lokal që të angazhohemi që të rinjve tanë t’ju sigurojmë jo vetëm një edukim të mirë, por edhe një orientim të drejtë për të ardhmen e tyre. Shkollat profesionale janë një orientim i mirë dhe i drejtë dhe kjo është edhe arsyeja pse MAShT e ka vendosur si prioritet arsimin profesional, pra zhvillimin e shkollave profesionale, ndërtimin e tyre, si dhe bashkëpunimin me pushtetin lokal dhe bizneset”, ka theksuar ministry Bytyqi.
Ai ka shprehur gatishmërinë që gjithmonë të jetë afër dhe të ndihmojnë komunën e Ferizajt jo vetëm me projekte të tilla, por edhe në forma të tjera që do të kontribuonin në ngritjen e cilësisë në arsim.
“Kjo vizitë në Ferizaj është bërë në vazhdën e vizitave që po u bëj komunave, respektivisht shkollave të Kosovës, për të bashkërenduar aktivitetet dhe për të fuqizuar bashkëpunimin për ndryshim të gjendjes në arsim”, ka theksuar Bytyqi.
