Aktuale
Vihet gurthemeli i pikës së re kufitare mes Kosovës e Maqedonisë

Është vënë gurthemeli për ndërtimin e vendkalimit të ri të përbashkët kufitar ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë – “Stançiq- Bellanoc”.
Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, deklaroi sot se hapja e pikës së re kufitare në Stançiq tregon punën e përbashkët të dyja vendeve Kosovës dhe Maqedonisë në rrugën e tyre drejt integrimeve evropiane.
“Shpresoj se do të vazhdoni të punoni bashkërisht për implementimin e punëve dhe më tej në kooperimin e arritjeve të synimeve për të mirën e qytetarëve të dyja vendeve dhe të gjithë rajonit”, ka thënë Apostolova, raporton KP.
Shefi i delegacionit të BE-së në Shkup, ambasadori Samuel Zbogar, ka thënë se kjo pikë kufitare do të ndikim pozitiv për zhvillimin ekonomik të banorëve të zonave lokale ndërmjet dy vendeve, por edhe për stabilitetin politik të rajonit të gjerë.
“Sot po lansojmë pikën e re kufitare ndërmjet dy vendeve, projekt ky i cili ka dështuar disa herë në herët e kaluara dhe fakti që ne jemi sot këtu është përkushtim i demonstrimit i dy vendeve fqinje për të zhvilluar marrëdhëniet në të ardhmen. Po ashtu, është demonstrim i durimit edhe të BE-së”, ka thënë ai.
Ai tha se ndërtimi i pikës kufitare në Stançiq do të shtojë edhe sigurinë në kufi dhe zhvillimin e turizmit në këto anë.
Ndërsa, zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pranuar se ka pasur vonesa për ndërtimin e kësaj pike kufitare me Maqedoninë, por më në fund ky projekt po realizohet duke zvogëluar dukshëm rrugën që banorët e këtyre zonave bënin në të kaluarën.
“Ka qenë një pritje, një shpresë, ëndërr, të cilët qytetarët e të dyja komunave dhe vendeve e kanë pritur me padurim dhe sot po e shndërrojmë këtë ëndërr në realitet të ri. Falënderoj shumë njerëz, personalitete që kanë dhënë kontribut të madh në jetësimin e këtij projekti, pikës kufitare, por dua të them një vlerësim personal. Është një temë që më ka përcjell nga viti 2011, nuk ka pasur takim me delegacionet e Maqedonisë që nuk kanë pasur temë të bisedës sonë që të jetësohet ky projekt, sidomos nga viti 2013, kur e kemi nënshkruar marrëveshjen për hapjen e kësaj pike kufitare ndërmjet dy vendeve tona”, ka thënë Hoxhaj.
Ai me këtë rast ka porositur se kufijtë e shtetit të Kosovës janë të paprekshëm dhe të pacenueshëm.
“Hartat politike në Ballkan dhe kufijtë historikisht në këto dy-tre mijë vitet e fundit janë bërë dhe ribërë, por ne kemi qëndruar këtu si popull dhe kufijtë e sotëm të Republikës së Kosovës janë të paprekshëm, të pandryshuar dhe të pacenuar”, ka thënë Hoxhaj.
Në këtë ceremoni, pjesëmarrës ishte edhe Zëvendëskryetari i Qeverisë së Maqedonisë për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, i cili tha se vendosja e këtij gurthemeli e bën këtë projekt më një dimension jashtëzakonisht të rëndësishëm politik edhe për marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, të cilat me këso projektesh sa vijnë e po thellohen.
Ai vuri në pah edhe rëndësinë që ka ky projekt për popullatën lokale të komunës së Likovës në Maqedoni si dhe të Gjilanit në Kosovë, por në përgjithësi edhe për popullatën vendore të kësaj ane.
“Përmes këtij vendkalimi ka për t’u lehtësuar qarkullimi i përbashkët i qytetarëve të këtyre komunave dhe komunave fqinje, gjë që është parakusht edhe për rritjen e shkëmbimeve ekonomike-tregtare mes këtyre zonave, potencial i fuqishëm për të bërë biznes e për të siguruar mirëqenie e prosperitet ekonomik. Pra ky objekt ka për të reflektuar në rritjen e treguesve ekonomiko-tregtarë të bashkëpunimit dypalësh, me benifite evidente për të dyja shtetet dhe qytetarët”, theksoi Osmani, transmeton Koha.net.
Osmani vuri në dukje edhe rëndësinë e posaçme që ka ky projekt për Shqiptarët nga dyja anët e kufirit dhe si i tillë është një urë më shumë për komunikim më të afërt e pa barriera mes shqiptarëve të këtyre anëve për shkëmbime më të lehta ekonomiko-tregtare e kulturore, por edhe për mbajtjen gjallë të lidhjeve miqësore e familjare.
Në vazhdimësi, Osmani u rikthye edhe në projektet ndërkufitare të përbashkëta mes Maqedonisë dhe Kosovës, më financime nga projektet e Bashkimi Evropian, për bashkëpunim ndërkufitar mes Maqedonisë dhe Kosovës aktualisht po punohet në projekte që kapinë vlerën prej disa miliona eurosh dhe qe shtrihen deri në vitin 2020.
“Të saktësoj, nuk janë para tona. Nuk janë para të taksapaguesve të Maqedonisë e as të Kosovës, por janë mjete të taksapaguesve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të cilët e kanë parë të udhës që të vendosin që këto mjete është më mirë të shfrytëzohen këtu tek ne, se në shtetet e veta”, shtoi Osmani më pas, duke shprehur mirënjohje të thellë Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare të saj.
Ndryshe, kjo është pika e tretë e përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, por ajo e cila dallon këtë pikë është se ndërtohet në konceptin e menaxhuar të kufirit, me një pikë të përbashkët kufitare, e cila hyn në kategorinë e pikës A që nënkupton edhe për mallra dhe udhëtarë.
Faza e parë përfshin udhëtarët dhe automjetet dhe në të ardhmen e afërt do të ketë mundësi edhe për transportin e mallrave.
