Aktuale
Vihet gurthemeli i Muzeut të Historisë së Natyrës
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/05/auto_muzeu_i_natyres1557235301.jpg)
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, tek Pishat e Sllatinës në Fushë-Kosovë sot kanë bërë vendosjen e gurthemelit të “Muzeut të Historisë së Natyrës”, kostoja e të cilit kap shifrën mbi 2 milionë euro.
Veseli, tha se ndërtimi i këtij muzeu i bënë qytetarët e Kosovës të mos ndihen inferiorë ndaj asnjë kulture dhe përmirëson jetën e qytetarëve të Kosovës.
“Po shkojmë drejt përmirësimit të shërbimeve për qytetarët tanë, të jetës së tyre por edhe në kuptimin cilësor edhe kjo vepër po ashtu e përmirëson cilësinë e jetesës së bashkëqytetarëve tanë duke pasur parasysh se Muzeu i Natyrës do jetë një pasurim i atij koleksioni të cilin e ka natyra jonë, duke i bërë ato eksponate pikërisht në një vend të përbashkët siç është ky investim afër 2 milionësh. Kosova po ecë përpara, ne do të ecim të gjithë bashkërisht me përkrahjen e njëri tjetrit”, u shpreh Veseli.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi tha se sot po vënë gurthemelin e një muzeu natyror i cili i ka munguar Kosovës dhe vendeve të rajonit.
Gashi tregoi për koston e investimeve në këtë projekt i cili pritet të përfundoj brenda dy viteve, dhe i cili ka kapacitet për vendosjen e 400 koleksioneve.
“Besoj që do të jetë një investim më shumë se 2 milionë euro, një projekt shumë kapital i cili ka vlera jashtëzakonisht të mëdha edhe të koleksioneve që do të zhvendosen këtu e që janë rreth 400 koleksione që parashihen të vendosen, pra ka një kapacitet të tillë dhe besojmë që gjatë këtij viti dhe vitit tjetër do i kemi këto punime dhe investime ta përfundojmë brenda periudhës dy vjeçare”, tha Gashi.
I kënaqur që një projekt i tillë po zhvillohet në komunën që ai e udhëheqë ishte kryetari i komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha i cili tha se për herë të parë në Kosovë po ndërtohet një objekt kulturor që do u shërbejë të gjithë qytetarëve të Kosovës.
“Po e përurojmë një vepër kulturore, muzeun natyror, që në Kosovë po mungojnë veprat kulturore dhe objektet kulturore dhe është ndoshta rast një prej të parëve në Kosovë, që po e bëjmë një objekt i cili do iu hyjë në shërbim të gjithë njerëzve”, u shpreh Berisha./ktv/
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)