Aktuale
Vihen themelet për ndërtimin e laurës në hyrje të Grykës së Rugovës, kundërshtohet nga banorët

Kanë filluar të vihen themelet për ndërtimin e laurës në hyrje të Grykës së Rugovës, e cila do të detyrojë qytetarët të paguajnë para se të hyjnë atje.
Organizata joqeveritare “Marimangat”, janë shprehur të habitur nga ky vendim, i cili sipas tyre nuk është diskutuar me banorët e kësaj zone dhe punimet kishin filluar fshehurazi.
“Çka po ndodhë kështu? Pa asnjë takim konsultativ me banorët e Rugovës dhe të Pejës po tentohet ndërtimi i laurës, e cila do t’i obligon të gjithë qytetarët të paguajnë për tu futur në Grykën e Rugovës. Fshehurazi dhe të heshtur sot kanë vënë themelin e laurës”, kanë shkruar në rrjetin social Facebook.
Këtë punë e ka kundërshtuar edhe opozita, duke thënë se Kryetari Komunës së Pejës Gazmend Muhaxherri, këtë vendim nuk e ka konsultuar me askënd.
“Lartmadhëria e tij Gazemd Muhaxherri pa e pyetur askënd, po dëshiron të bëjë hyrjen në Grykën Rugovës me pagesë!”, ka reaguar Berat Ganiqi, asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Pejës.
Mirëpo nuk do të jetë vetëm Gryka e Rugovës që do t’i vendoset laura për çështjen e pagesave.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor më herët ka treaguar në lidhje me projektin për ndërtimin e laurave në Parqet Nacionale të Kosovës, ku vendosja e tyre do të bëhet në Parkun Nacional “Bjeshkët e Nemuna”, ku përveç Grykës së Rugovës do të përfshijë edhe parkun e Junikut, Baballeq, si dhe Parkun e Sharrit dhe atë të Brezovicës.
Sipas kësaj Ministrie synimi i këtij projekti është mbledhja e të ardhurave më të mëdha për mirëmbajtjen e parkut. Mirëpo, MMPH synon që edhe të ketë kontroll më të madh rreth asaj se çka futet brenda këtyre parqeve nacionale, me cak tek materialet ndërtimore.
Lexoni artikullin e mëparshëm të Ndërtimi.info në lidhje me ndërtimin e laurave në Parqet Nacionale të Kosovës:
https://ndertimi.info/parqet-nacionale-me-laura-dhe-me-pagese-kontrolli-synon-edhe-ndalimin-e-ndertimeve-pa-leje/




