Aktuale
Vetëvendosje në Podujevë ngre dyshime se kujt do t’i jepen pronat komunale në shfrytëzim
Zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë kanë ngritur dyshime për mënyrën se si zyrtarët komunalë e kanë hartuar një listë të veçantë të pronave të paluajtshme që do t’i japin në shfrytëzim gjatë vitit 2020.
Kryetari i Qendrës së kësaj partie, Bajram Ajeti, ka thënë se në vendimin e Komunës që përmban listën e këtyre pronave nuk janë përmbushur të gjitha kriteret e përcaktuara me ligj. Sipas tij, kjo ngre dyshime se kujt do t’i jepen këto prona, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Sipas nenit 5, paragrafi 1, nënparagrafët 1.1-1.4. të Ligjit nr. 06/L-092, janë të përcaktuara kriteret për dhënie në shfrytëzim të pronës dhe ato janë: prona e paluajtshme e komunës për dhënie në shfrytëzim të jetë e regjistruar në regjistrat kadastralë të pronës; qëllimi i shfrytëzimit të pronës së paluajtshme të komunës të jetë i harmonizuar me dokumentet e planifikimit hapësinor; të ketë arsyeshmëri të interesit publik apo përfitimit ekonomik të komunës; dhe të plotësojë kushtet dhe kriteret e përcaktuara mjedisore”, ka thënë Bajram Ajeti, i cili është edhe këshilltar komunal.
“Kriteri i parë është plotësuar. Kriteri i dytë nuk po shoh nga dokumentacioni se është plotësuar, sepse nuk ka dokument se dhënia në shfrytëzim është harmonizuar me planifikimin hapësinor. I treti mendoj se nuk është dhënë plotësisht, sepse për të gjitha pronat jepet arsyetim i njëjtë (se jepet për krijim të vendeve të reja të punës dhe rritjen e vlerës së parcelës dhe të hyra vetjake të komunës). Si dhe kriteri i katërt, po ashtu, nuk është plotësuar me kushtet dhe kriteret e përcaktuara mjedisore”, shtoi ai.