Aktuale
Vetëm 23 raste të regjistrimit të pronës së trashëguar në emër të grave në Deçan
Safete Gacaferrit, shumë vjet më parë i ka vdekur burri, e me vdekjen e tij edhe e drejta për të trashëguar pronën. Ajo tash kujdeset për fëmijët, ndërsa tregon se nuk është ftuar ende të marrë pjesë në procesin e ndarjes së trashëgimisë me familjarët e burrit.
“Mua burri më ka vdekur dhe nuk e kam marrë trashëgimin e burrit, sepse vjehrri nuk ma ka dhënë dhe më ka thënë se sa të është gjallë, ai nuk ma jep. Ende nuk e kam marrë pjesën e trashëgimisë që i takon burrit. Unë jetoj në një banesë me fëmijë, por mentaliteti te ne është shumë problematik”, thotë Gacaferri. Dhe siç thotë Gacaferri, ka qenë përvoja e saj e keqe për pronën, arsyeja pse në vitin 2005 ka themeluar shoqatën e gruas “Jeta” në Deçan, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Përvoja e keqe e imja më ka nxitur që të ngrit zërin për të ndryshuar jetën e femrës në këtë komunë dhe për t’i inkuadruar ato në këtë shoqatë dhe për t’u bërë një rrjet i grave me një zë të fuqishëm në këtë komunë. Dhe kjo shoqatë i ka prekur gjithnjë temat e ndjeshme për vetëdijen e grave dhe të drejtën e tyre në pronë”, ka thënë Gacaferri.
Ajo nuk është e vetmja viktimë e “e së drejtës zakonore”. Përkundrazi, statusin e saj në shoqëri dhe familje e kanë shumica e vajzave dhe grave në këtë komunë. Numri i përfituesve të pronës nga trashëgimia e prindërve apo e burrit është simbolike. Sipas autoriteteve komunale, vetëm 23 raste të pronës në emër të femrave janë regjistruar në vitin 2019 në Deçan.