Aktuale
Veseli: Rruga Klinë e Epërme – Komoran të quhet “Shaban Polluzha”

Sot kanë filluar punimet për ndërtimin e rrugës Klinë e Epërme – Komoran. Me këtë rast, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë se në Kosovë po ndodhë zhvillimi dhe ndryshimi pozitiv.
Veseli tha se për një shekull rresht në këtë rrugë kanë ecuar heronjtë që bënë historinë e Kosovës, ata që punuan e luftuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, që nga çetat e Ahmet Delisë e Azem Bejtes, luftëtarët e Shaban Polluzhes, e deri tek njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Sot jemi këtu, në fillimin e punimeve të kësaj rruge për të nderuar kujtimin e tyre.Njëkohësisht, për të dëshmuar forcën tonë për të ecur përpara, forcën tonë për ta zhvilluar Drenicën, për ta zhvilluar Kosovën, për ta fuqizuar shtetin dhe garantuar të ardhmen e sigurtë për fëmijët e Kosovës”, tha Veseli.
Kryeparlamentari Veseli propozoi që kjo rrugë moderne, nga Klina e Epërme e deri në Komoran, të marrë emrin e heroit kombëtar Shaban Polluzha.
“Shaban Polluzha ishte ai që shtroi për ne rrugën e lirisë. Sot ne e nderojmë këtë burrë të madh të Kosovës duke i vënë emrin e tij kësaj rruge moderne të Kosovës moderne dhe të zhvilluar”, tha Veseli.
Ai shtoi se ata që sot dyshojnë se në Kosovë po ndodhe ndryshimi pozitiv, janë të njejtit që dje mendonin se nuk mund të çlirohet Kosova.
“Ne e çliruam Kosovën. E bëmë shtet të pavarur dhe sovran. Do ta bëjmë shtet të zhvilluar ekonomikisht dhe vend dinjitoz për qytetarët e saj, me rrugë moderne, spitale, shkolla e vende pune për të rinjët e Kosovës. Nuk ka forcë që mund të na ndalë në këtë mision të shenjtë”, theksoi kreu i Kuvendit.
