Aktuale
Veseli premton ndihmë në blerjen e banesave për prindërit që bëjnë nga 3 dhe 4 fëmijë
Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Kadri Veseli, gjatë ditës ka vizituar një çerdhe në kryeqytet, nga ku është zotuar se gjatë qeverisjes së tij do të ndërtohen 300 çerdhe të reja në tërë vendin. Ai, gjithashtu ka permtuar ndihmë në blerjen e banesës apo ndërtimin e shtëpisë për prindërit që bëjnë tre apo katër fëmijë.
Nga aty Veseli tha se fokus i tij është futja obligative e fëmijëve nga mosha 0 deri në moshën 6 vjeçare në edukimin parashkollor.
“Fokusi im i madh është që të bëhet futja pothuajse obligative nga 0 deri në 6 vjeç. Kam paraparë ndërtimin e 300 çerdheve, të cilat do të jenë pikërisht në këtë qëllim. Pastaj si orientim konservator në të cilën është partia ime dhe unë, familja e luan rolin e jashtëzakonshëm. Fuqizimi i familjes, ne do të stimulojmë me politikat tona lindjen e fëmijës të tretë me 1 mijë euro, lindjen fëmijës të katërt me 1 mijë e 500 euro. Për aq sa familjet që kanë tre fëmijë kanë me pas subvencionimin e kredisë në masën 30 për qind për tre fëmijë, katër fëmijë e tutje e kanë subvencionimin e kredisë së tyre deri në 50 për qind. Ndërtimin dhe blerjen e banesave, po ashtu fëmija i tretë, përkatësisht nga fëmija i katërt 30 përkatësisht 50 për qind blerjen e banesave ose ndërtimin e shtëpive. Orientimi ynë është rritja e familjes dhe përgatitja e fëmijëve tanë që të jenë të barabartë me fëmijët evropianë, për arsye se edhe konkurrenca, ambienti ku jetojmë është evropian dhe konkurrenca duhet të jetë evropiane”, tha ai.
Pretendenti për kryeministër të vendit, premtoi se do të jetë në mbështetje të fuqizimit të çerdheve private.
“Kemi me iu fuqizua juve, në të njëjtën kohë i krijojmë një hapësirë shumë të madhe grave, se futja e sistemit parashkollor dhe kopshteve edhe më herët, jo vetëm parashkollor po të kopshteve që janë nga mosha 0-6 vjeçare që po mendojmë t’i bëjmë rreth 300 në Kosovë. Kam me iu krijua hapësirë të madhe grave që të kenë mundësi pastaj të kenë edhe aktivitete qoftë në punësimin, qoftë në ndërmarrësi, që të mos jenë të varura drejtpërdrejtë vetëm prej situatës familjare, se kur i ke fëmijët me i rrit e kur nuk ke ku i dërgon nuk është e lehtë”, tha ai.
Gjatë këtij takimi Veseli ishte i shoqëruar nga kandidatja për deputete nga PDK Dhurata Hoxhaj.