Aktuale
“Vendimi për rrënimin e “Gërmisë” ad-hoc, Prishtina nuk ka vizion”

Vendimi për shkatërrimin e objektit të ish-shtëpisë së Mallrave “Gërmia”, për ta zëvendësuar me Sallën Koncertale po konsiderohet ad-hoc.
Arkitekti, Bekim Ramku thekson se ky objekt është pjesë vitale e qytetit të Prishtinës, duke shtuar se qyteti nuk ka vizion, transmeton Ndërtimi.info.
“Është pjesë vitale e modernizmit të vonë të Prishtinës dhe Kosovës. Është pjesë një mozaiku të gjerë që ngadalë po e humbim. Pse me shkatërrua një objekt kur mund të fitohen dy objekte. Objekti mund të mbahet për funksione tjera. Thelbi i problemit është që qyteti nuk ka vizion. Nuk ka plan urban, plan për investime kapitale. Ka qenë vendim ad-hoc, ndoshta edhe i kryetarit”, tha ai në Klan Kosova.
Në anën tjetër, tenori me famë botërore, Ramë Lahaj shprehi shqetësimin e tij për humbjen e mundshme të grantit prej 15.4 milionë euro që Komision Evropian do t’i jap për Sallën Koncertale.
Ai, shtoi se nuk e di pse po insistohet të ruhet objekti i “Gërmisë”.
“Nuk e di pse insistohet të mbrohet ky objekt që nuk ka ngjallë ndonjë nostalgji të madhe përveç për ish Jugosllavinë. Modifikimet janë të mundshme por çështja është nëse fillojmë ta modifikojmë do të na kushtojë më shumë dhe do të na kushtëzojë në hapësirë”, tha ai.
Analisti, Shkelzen Maliqi ka ritheksuar se është kundër rrënimit të “Gërmisë” dhe se ai objekt duhet të ruhet.
Ndërsa, analistja Besa Luzha tha se duhet të përcaktohet se cilat janë vlerat e këtij objekti në mënyrë që ruhen, e të ndërtohet Salla Koncertale.
