Aktuale
Vendimi për hetim ndaj 8 zyrtarëve për faljen e 4 hidrocentraleve, i vonuar qëllimisht
Pesë vjet pasi u privatizua distribucioni për shpërndarjen e rrymës, Prokuroria e Shtetit vendosi të niste hetime ndaj tetë zyrtarëve përgjegjës për faljen e katër hidrocentraleve në kontratën e nënshkruar me “Limak Çalik”.
Pas gati 2 vjetësh të fazës parahetimore, Prokuroria nxori aktvendimin për hetime vetëm pak ditë para se lënda të parashkruhej, raporton KTV.
Kjo, sipas Institutit Kosovar për Drejtësi, është bërë qëllimisht për të zvogëluar mundësitë që të zbardhet rasti.
Ministri i atëhershëm i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, nuk ka dashur të flasë para kamerës për këtë çështje, duke thënë se nuk është në dijeni për nisjen e hetimeve.
Ndërsa, ministri i diasporës, Dardani Gashi, i cili në atëkohë ishte Ministër i Mjedisit ka treguar se këtë vit, ka qenë hera e parë kur është intervistuar nga hetues të Policisë së Kosovës.
Por, sipas tij, pos ministrave, duhet të hetohen edhe personat ekspertë, të cilët kishin bërë vlerësimet në atëkohë.
Kontrata nuk ishte bërë publike, e as nuk ishte lejuar shikimi i saj përmes Ligjit për Qasje në Dokumentet Zyrtare.
Në Institutin GAP tregojnë se fjala hidrocentral nuk ishte përmendur askund në kontratë, por ishin treguar vetëm pjesët e tyre.
Që nga momenti i nisjes së hetimeve, Prokuroria ka afat dy vjet për nisje të hetimeve të personave përgjegjës.



