Aktuale
Vendimi për heqjen e pezullimit të licencimit për ndërtimin e hidrocentraleve zgjon reagime
Në periudhë zgjedhjesh, edhe një vendim skandaloz e që ka ngjallur reagime të mëdha, ka ardhur nga Qeveria.
Këtë herë, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, respektivisht ministri në largim, Fatmir Matoshi, vetëm përmes një sugjerimi, ka hapur rrugë që departamentet respektive të këtij dikasteri, t’i shqyrtojnë kërkesat për leje mjedisore për hidrocentrale.
Në një komunikim ndërmjet sekretarit të ministrisë dhe ministrit Matoshi, për të cilin ka raportuar kallxo.com, ky i fundit i ka sugjeruar Sekretarit të zbatohen korniza ligjore në shqyrtimin e kërkesave, e që, sipas Sekretarit, ishin të shumta, raporton KTV.
Procedura e licencimit ishte pezulluar në prill të vitit të kaluar, sepse paraprakisht ishte kërkuar që të bëhej vlerësimi i kapaciteteve ujore në vend dhe ndikimit të hidrocentraleve dhe për këtë pritej një interpretim ligjor nga Zyra e kryeministrit.
Matoshi, në një reagim të tij me shkrim, ka konsideruar se kjo çështje po keqpërdoret për interesa elektorale.
“Përgjigjja ime drejtuar shkresës së Sekretarit të Ministrisë nuk nënkupton në asnjë mënyrë ndërtimin e hidrocentraleve pa respektuar kushtet paraprake të cilat fillojnë nga komunat dhe qytetarët e tyre. Ministri nuk është autoritet që jep apo ndalon leje, secila e drejtë dhe përgjegjësi është e rregulluar me ligj. Rrjedhimisht, lajmi se ministri ka marrë vendim ose ka dhënë leje për hidrocentrale është i pavërtetë dhe qëllimkeq”.
Ky veprim i ministrit nuk është mirëpritur nga organizata të shoqërisë civile, që, për më tepër, veprimin e kanë konsideruar joetik.
Koalicioni për Hapje të të Dhënave dhe Llogaridhënie në Prokurim Publik, pjesë e së cilës janë edhe KDI, Instituti Columbus e të tjera organizata i kanë bërë thirrje edhe Prokurorisë që të hetohet ky rast, që, sipas tyre, bie ndesh me ligjet në fuqi dhe ngre dyshime për ndikim në Ministri.
“Pro Open kërkon që të respektohet vendimi i marrë nga Ministrja e kaluar, dhe të pezullohen lejet e reja derisa të bëhet një vlerësimi i ri dhe i mirëfilltë i kapaciteteve ujore në vend si dhe ndikimit të hidrocentraleve të vogla në cilësinë e mjedisit dhe mirëqenies së qytetarëve”, thuhet në reagim.