Aktuale
Vendet më të fotografuara të Tiranës në Instagram
Të gjithë e dimë që sot Instagrami është aplikacioni më i përdorur për foto dhe check-in. Gjëja e parë që bëjmë kur vizitojmë ndonjë vend të ri, por dhe të vjetër, është që të gjejmë vendin, pozitënapo këndin më të bukur për foton e përsosur apo të zbulojmë bukuritë që ofron qyteti. Kjo garë për vendin më të bukur, më të fotografuar në Instagram dhe për foton më të pëlqyer, është shumë e pranishme edhe në Tiranën tonë të dashur.
Arkitektura e rrëmujshme dhe e ndikuar nga kultura dhe epoka të ndryshme, e bën kryeqytetin tonë një përzierje mes modernes dhe antikes, që është sa e çuditshme aq dhe marramendëse. Prandaj, nëse jeni Instagrammer, që kërkoni perla të çuditshme, kryqëzime të ngarkuara dhe një rrëmujë të bukur dhe piktoreske, Tirana është qyteti që do t’ju japë vëmendje, pëlqime dhe shumë komente. Dashurohuni me listën e “Living” për vendet më të para në Instagram në Tiranë.
PEDONALJA
Është një rrugë e rrallë, e cila sipas emrit I kushtohet vetëm pedonëve, pra, atyre që ecin
në këmbë. Tashmë, ajo ofron shumë hapësira, kënde dhe vende të paharrueshme për foton më simpatike. Ne kemi zgjedhur pjesën midis Bunk Art 2 dhe ndërtesës që njëherë e një kohë ka qenë godina e Ministrisë së Brendshme. Sot, ajo tërheq vëmendjen me ngjyrat e forta, rombet e verdha dhe hapësirën madhështore që e rrethon. Drita dhe perspektiva abstrakte mund t’ju dhurojnë foton më abstrakte për profilin tuaj në Instagram.
TYRBJA E KAPLLAN PASHËS
Tyrbja e Kapllan Pashës është një varr monumental i administratorit të Tiranës gjatëperiudhës osmane. Ajo është ndërtuar në fillim të shekullit XIX dhe është monument i trashëgimisë kulturore të Tiranës. Forma oktagonale që formojnë kolonat dhe harkungjyrë floriri që e rrethon, e bën jo vetëm një nga vendet që duhet vizituar, por pa dyshim një nga më të bukurat për foton e përsosur.
GRAFITI
Si shumë qytete të tjera në Ballkan, edhe Tirana është një skenë ku ka
lulëzuar arti i rrugës, me grafite, murale dhe vizatime të reja që I shtohen rregullisht. Ato janë kudo, në Bllok, në fasadat e pallateve, në kabinat dhe kutitë e energjisë elektrike, si gurë të çmuar të një kurore.
PIRAMIDA
Nuk është piramida e Egjiptit, por ajo e komunizmit. Në shëtitoren para saj bëhej xhiro apo ajo vetë ka qenë vend takimi në fillimet e demokracisë dhe ka shërbyer si sallë koncertesh, organizimesh, njëfarë kohe ka qenë edhe selia e një prej medieve më të rëndësishme në Tiranë. Sot, ndonëse në mëshirë të fatit, e vetmuar, e shkarravitur nga grafite të shpëlara nga koha dhe me pllaka të shkulura, përsëri është e dashur për qytetarët e saj të çuditshëm.
LIQENI ARTIFICIAL
Tirana nuk është një nga vendet më të gjelbra në Shqipëri, por Liqeni Artificial është pa dyshim mushkëria e saj. Kjo pjesë e qytetit është e tejmbushur në çdo stinë të vitit, ndonëse natyra është veçanërisht e bukur në verë dhe pranverë. Kjo pjesë e Tiranës quhet ndryshe edhe Parku i Madh dhe përpos Shtëpisë Japoneze të dhuruar nga ambasadori i Japonisë në Shqipëri, aty ka shumë hot-spote të përsosura për foton më të klikuar.
PLAZA
Tanimë, që nga viti 2016, edhe në Tiranë ekziston një markë ndërkombëtare me një godinë 24-katëshe, me fasadë gjeometrike dhe pllaka të varura në formë zigzage. Ndërtesa ndan një horizont me kullën e famshme të sahatit dhe që prej përfundimit të saj, është bërë një nga pikat turistike dhe vendet më të fotografuara në Instagram, në Tiranë.
STADIUMI AIR ALBANIA
Stadiumi Air Albania ose Arena Kombëtare është një nga veprat më të fundit të ndërtuara në Tiranë. Struktura e tij shumëfaqëshe, është tejet e veçantë dhe lejon që secila palë të lejojë hyrjen në pjesët e tjera të ndara. Në cep të stadiumit ngrihet një kullë e lartë, për shërbime private. Ndonëse i ri, madhështia dhe ngjyra e kuqe dhe e zezë estadiumit, këndet e krijuara, por dhe motivet e qilimave shqiptarë që kanë mbushur sheshin Nënë Tereza, kanë krijuar një hapësirë tjetër të përsosur për foton më In në Instagram.
DAJTI
Ngjituni me teleferik në pikën më të lartë në afërsi të Tiranës, malin e Dajtit. Ajo është një parajsë e qetë malore, që pëlqehet shumë, sidomos nga banorët e Tiranës, të cilët duan t’i shpëtojnë kaosit të qytetit. Pesëmbëdhjetë minuta për këndvështrime të reja, shëtitje të bukura, fotografi të lakmuara të natyrës dhe Tiranës nga lart. Ndonëse stinët e preferuara janë ato ku temperaturat janë më të larta, edhe dimri ofron shumë, sidomos ngjyrat marramendëse të gjetheve dhe bimësisë përreth.
Fotografi: Roni Milla