Aktuale
Veliaj në bashkëpunim me qytetin e madh italian me një projekt të ri
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2017/11/lali-1024x639.jpg)
Në vijim të vizitës së tij në Itali, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë në edicionin e tretë të Samitit Ndërkombëtar të Qyteteve me temë “Të Bashkuar në Diversitet”.
Në fjalën e mbajtur në sesionin kushtuar dialogut urban, Veliaj veçoi bashkëpunimin që ekziston tashmë mes qytetit të Tiranës dhe Firences, sidomos sa i përket përdorimit të teknologjisë dhe mjeteve miqësore me mjedisin, në ndriçim apo transport.
“Sfidat që po kalojnë të gjithë qytetet janë sfida të ngjashme, si në Tiranë, si në Athinë, si në Kajro apo në Barcelonë. Më vjen mirë që Tirana është avangardë në shumë prej nismave, duke filluar nga transporti elektrik, tek mënyra se si po ecim me korsitë e biçikletave. Sot kemi mbyllur një marrëveshje paraprake për të sjellë një flotë biçikletash në qytetin e Tiranës. Duke nisur nga fillimi i vitit tjetër do të vijnë disa mijëra biçikleta, pasi bashkia të ketë përfunduar rrjetin minimal dhe besoj për një qytet që është bekuar nga Perëndia me mbi 300 ditë diell dhe me një terren të sheshtë, është një koncept ideal për të transformuar mënyrën se si qarkullojmë në Tiranë, sidomos me një numër të konsiderueshëm të rinjsh dhe studentësh”, tha kryebashkiaku Veliaj.
Veliaj theksoi se Bashkia e Tiranës do të parashikojë në buxhetin e saj për vitin 2018 një fond të posaçëm që do të përdoret për flotën e biçikletave, por edhe për automjetet elektrike të transportit publik.
“Me buxhetin e vitit tjetër kemi planifikuar që të shtrojmë jo vetëm korsitë e biçikletave, por edhe blerjet e autobusëve dhe të flotës së biçikletave që do të vijnë në Tiranë”, tha Veliaj. Kryebashkiaku njoftoi se shumë shpejt do të fillojnë konsultimet e buxhetit me banorët në të 24 njësitë, ndërsa u shpreh se ndër prioritetet e tij do të jenë zhvillimi i zonave periferike. “Pjesa më e madhe e buxhetit do të shkojë me një fokus në zonat periferike të Tiranës, zona e Astirit dhe Unazës së Re, zona e Freskut, zona e Komunës së Parisit dhe e Farkës, për t’u siguruar që integrojmë si pjesën e qytetit që është brenda unazës, ashtu edhe pjesën e qytetit jashtë unazës”, u shpreh ai.
Gjithashtu, Veliaj bëri të ditur se në partneritet edhe me Bashkinë e Firences do të krijohet një kompani e posaçme që do të merret me ndriçimin e Tiranës me teknologjinë më të fundit, si dhe të vendosjes së një sistemi kamerash sigurie që do të rrisnin sigurinë në rrugë dhe do të kontrollojnë trafikun.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)