Infrastrukturë
Veliaj inspekton punimet në Qytetin Studenti dhe Sauk
Punimet që po bëhen për ndërtimin e rrugës “Danish Jukniu” në Suk, po inspektohen nga kryetari i Tiranës Erion Veliaj.
Veliaj, vlerësoi bashkëpunimin që kanë treguar banorët e zonës, të cilët duke liruar vetë hapësirat e zëna i kanë dhënë mundësi bashkisë për të zgjeruar trotuaret.
“Është një nga komunitetet unike, ku të gjithë banorët kanë kontribuar duke liruar nga pak nga avllia e tyre për zgjerimin e trotuareve. Në komunitete si ky, qytetarët e shohin se si puna e bashkisë është cilësore kudo”, tha ai.
Veliaj vlerësoi ritmin me të cilin po ecin punimet, ndërsa bëri të ditur se projekti për ndërtimin e kësaj rruge do të përfundojë brenda afatit të caktuar.
“Po maksimizojmë kohën në muajt e verës, që të punojmë teksa njerëzit janë me pushime, kështu do të kemi pak tollovi këto javë deri sa të kemi mbaruar punimet në pjesën më të madhe të rrugës. Mandej, sigurisht që do të vazhdojmë gjatë vjeshtës me asfaltin, me sinjalistikën, me ndriçimin, për t’u siguruar që edhe kjo lagje e Saukut të jetë gjithashtu pjesë integrale e Tiranës”, shtoi kryebashkiaku.
Veliaj deklaroi se këto investime shkojnë në harmoni me vizionin e Bashkisë së Tiranës, që e gjithë zona nga Qyteti Studenti deri në Sauk të kthehet në një nga polet e Tiranës së ardhshme, e pajisur së pari me infrastrukturën e duhur urbane.
“Vizioni ynë është që e gjithë zona e Qytetit të Studentit, përfshi Saukun, Farkën, të jetë një nga poliqendrat e Tiranës. Duhet ta pranojmë se njerëzit nuk jetojnë gjithë ditën te Pazari i Ri apo te sheshi Skënderbej, por ata jetojnë në komunitet e tyre. Ndaj është e rëndësishme që me të njëjtën cilësi që kemi punuar në qendër të Tiranës, të punojmë në nivel kapilar edhe në këto komunitete”, tha Veliaj.
Rruga “Danish Jukniu” ka një rëndësi të madhe për lëvizjen e banorëve të zonës dhe shërben si aks kryesor lidhës me rrugën e “Elbasanit”.
Projekti parashikon që përveç punimeve në trupin e rrugës, të realizohen të gjitha kanalizimet, shtrirja e linjave rezervë të telefonisë e shërbimeve të tjera. Gjithashtu, rruga do të pajiset me ndriçimin e nevojshëm dhe gjelbërim.