Aktuale
Vdes pionieria e projektimit të mobiljeve, Florence Knoll Bassett

Arkitektja amerikane njëherësh edhe pionieria e projektimit të mobiljeve Florence Knoll Bassett, ka ndërruar jetë sot në moshën 101 vjeçare.
Si forcë shtytëse e zhvillimit të markës së mobiljeve “Knoll” dhe themeluese e kompanisë “Planning Unit”, Knot është konsideruar si një nga figurat më me ndikim të dizajnit të mobiljeve të shekullit XX-të, shkruan “Dezeen”, transmeton Ndërtimi.info.
Kritiku amerikan i arkitekturës, Paul Goldberger është ndër të shumtë persona që ka falënderuar arkitekten për kontributin e saj, në rrjetin social Twitter. Ai e ka përshkruar Knoll-in si “një forcë të shkëlqyer të projektimit”.
“Ne kemi humbur një nga forcat e mëdha të projektimit të shekullit të XX-të. Florence Knoll Bassett mund të ketë bërë më shumë se çdokush tjetër për të krijuar atë që ne mendojmë si dizajni ‘Mad Men’ i hapësirave moderne të punës, të shek. XX”, u shpreh Goldberger.
Gjatë studimeve në shkollën “Kingswood” në Miçigan, ajo u njoh me arkitektin finlandez Eliel Saarinen. Ky ishte fillimi i një marrëdhënieje të përjetshme me familjen Saarinen, përfshirë edhe djalin e Elielit, Eeron, të cilin më vonë do të bashkëpunonte.
Knoll Bassett studioi gjithashtu në Institutin e Teknologjisë të Massachusetts-it, para se të përfundonte trajnimin e saj në atë që tani njihet si Instituti i Teknologjisë i Illinoisit, nën drejtimin e Ludwig Mies van der Rohe.
Pas diplomimit, Knoll Bassett u zhvendos në New York City me qëllim të praktikimit të arkitekturës, por pasi u martua me Hans Knoll – trashëgimtar në një kompani të mobiljeve me qendër në Shtutgart – çifti përfundoi duke punuar së bashku për të sjellë estetikën evropiane të projektimit në SHBA.
Si “Knoll Associates”, së bashku ata sollën disa nga dizajnet më të njohura të mobiljeve të shekullit XX.
Pas vdekjes së papritur të burrit të saj në 1955, Knoll Bassett u bë drejtoresha e vetme e kompanisë. Ajo mbajti atë post deri në vitin 1959, kur e shiti kompaninë.
Në vitin 1957 u martua sërish. Burri i ardhshëm i saj u bë Harry Hood Basssett.
Në vitin 1961 ajo u bë gruaja e parë që mori medaljen e artë për “Dizajn Industrial” nga Instituti Amerikan i Arkitektëve ndërsa në vitin 2003 mori medaljen kombëtare të arteve.
Sot, Knoll mbetet një nga markat më të mëdha dhe më të rëndësishme të mobiljeve në botë./Ndërtimi.info/
