Aktuale
Vdekjet në ndërtim në raportin Komisionit Evropian për Kosovën

Vdekjet dhe lëndimet në sektorin e ndërtimtarisë në Kosovë do t’i raportohen edhe Komisionit Evropian. Në raportin për këtë komision theksohet se situata e sigurisë në këtë sektor është tejet e pafavorshme për punëtorët, shkruan Ndërtimi.info.
EC Ma Ndryshe ka përpiluar analizën e shkurtër “Zhvillimi i Qëndrueshëm dhe Sfidat e Planifikimit dhe Ndërtimit në Kosovë”, që është kontributi i organizatës për Raportin vjetor të Komisionit Evropian për Kosovën.
Në këtë analizë, potencohen se numri i vdekjeve në ndërtimtari gjatë këtij viti, është më i lartë se vitin e kaluar.
“Ndërkohë situata në sektorin e ndërtimit është tejet e pafavorshme për punëtorët e angazhuar aty, sa i përket sigurisë në punë. Incidentet e punëtorëve në vendin e punës rezultojnë me lëndime serioze trupore e deri te rastet me fatalitet. Mediat kanë raportuar se në vitin 2018, 22 punëtorë kanë humbur jetën në vendin e punës, kryesisht në sektorin e ndërtimtarisë. Ky numër është më i lartë se në vitin 2017. Organizata ka provuar që t’i konfirmojë të dhënat nga Inspektorati i Punës dhe MPMS-ja, por nuk ka marrë përgjigje zyrtare”, thuhet në analizën e EC.
Në këtë përmbledhje, janë përfshirë temat si: Përmbushja e MSA-së në fushën e mjedisit, Eurokodet dhe Kodi i Ndërtimit të Kosovës, Zbatimi i legjislacionit në sektorët e planifikimit dhe të ndërtimeve, Dëmet e shkaktuara ndaj trashëgimisë kulturore e Statistikat e organeve të sistemit të drejtësisë për ndërtimet pa leje dhe shkatërrimin e Trashëgimisë Kulturore në Prizren si dhe Sfidat për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore në Kosovë.
