Aktuale
Vazhdon zvarritja, shkolla gjilanase e artit nuk hapet as në shtator
Objekti i ri i shkollës së mesme të artit pamor “Adem Kastrati” në Gjilan nuk do të jetë gati për nxënësit të cilët do të vijojnë procesin mësimor në muajin shtator, ngase nuk janë finalizuar punimet në këtë objekt.
Komuna e Gjilanit ka njoftuar se Ministria e Arsimit, e cila financon këtë projekt, ia ka ndërprerë kontratën kompanisë e cila ishte angazhuar në realizim të punimeve, meqë ishte vlerësuar se kompania ishte treguar e papërgjegjshme.
Lajmin për zvarritjen e punimeve nuk e kanë mirëpritur as këshilltarët komunalë të opozitës, të cilët vlerësojnë se shkolla do të dëmtohet edhe më shumë, shkruan sot Koha Ditore.
Mirëpo pushteti komunal është deklaruar se ata në vazhdimësi e kanë njoftuar Ministrinë për zvarritjen e punimeve nga operatori dhe se paraqitja e gjendjes nga ana e tyre ka ndikuar që kompanisë t’i ndërpritet edhe kontrata.
Nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli, deklaron se objekti i ri i shkollës nuk do të jetë gati për nxënësit në muajin shtator ashtu siç ishte paralajmëruar.
Ndërkaq këshilltarja komunale nga radhët e opozitës, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, deklaroi se nuk është lajm i mirë zvarritja e punimeve ngase shkolla do të dëmtohet edhe më shumë. Ajo tha se komuna duhet të bëjë presion dhe të mbikëqyrë punimet në projekte të ndryshme me qëllim që ato të realizohen.
Ndërsa drejtuesi i shkollës së mesme të artit pamor “Adem Kastrati” në Gjilan, Roland Masurica, tha se kishte pasur zotime se objekti i shkollës do të jetë i gatshëm në muajin shtator.