Aktuale
Vazhdon gjykimi për ish-drejtorin e Inspeksionit në Pejë, dyshohet për keqpërdorim detyre

Ish-drejtori i Inspeksionit në Komunën e Pejës, Demë Dashi, që po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare sot ka dalë para Gjykatës Themelore në Pejë.
Në këtë seancë gjyqësore janë dëgjuar deklaratat e dëshmitarëve, raporton Ndërtimi.info
Seanca e radhës do të mbahet me 10 dhe 11 prill, këtë e ka bërë të ditur për Ndërtimi.info, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Peja, Tringa Zhuti.
“Është mbajt seanca e Demë Dashit, është shtyrë seanca për datën 10 dhe 11 prill në ora 10:00”, tha Zhuti.
Ndërsa, në 19 tetor të vitit të kaluar (2018) Ish-drejtori i Inspeksionit në Komunën e Pejës, Demë Dushi, përmes avokatit të tij Isa Osdautaj kishte kërkuar nga gjykata që të hudhet poshtë aktakuza për korrupsion që rëndon ndaj tij.
Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, kërkesën për hudhje të aktakuzës ndaj të akuzuarit Dashi, e ka paraqitur më 12 tetor të këtij viti, mbrojtësi i tij, avokati Osdautaj, kërkesë kjo, e cila u shqyrtua në seancën e shqyrtimit të dytë.
Sipas kërkesës së mbrojtjes, arsyetimi për provat e propozuara nga aktakuza nuk e mbështesin dhe nuk e argumentojnë dyshimin e bazuar përkitazi me veprën penale që pretendohet se e ka kryer i akuzuari Dashi, dhe se provat materiale të propozuara, sipas mbrojtjes, vërtetojnë një gjendje faktike më ndryshe, se sa ajo që është përshkruar në aktakuzë.
Tutje, sipas kësaj kërkese, prokuroria nuk ka analizuar drejtë, të drejtat dhe përgjegjësitë e drejtorit të Inspeksionit në raport me inspektorin e ndërtimit, ngase siç pretendon mbrojtja, veprimet për të cilat akuzohet i akuzuarit, bien në domenin e përgjegjësisë së Inspektoratit të Ndërtimit.
“I pandehuri Demë Dashi pandehet gabimisht ngase i referohem rregullores mbi sistemin dhe organizimin e brendshëm dhe ndarjen e punëve, ku shihet qartë se i akuzuari ka qenë drejtor i Inspektoratit, çka do të thotë se drejtori është një funksion politik ngase çështja në bazë të rregullores ka qenë kompetencë e inspektorëve dhe udhëheqësit të Njësisë për Inspektorë, çka do të thotë se veprimet e përshkruara në aktakuzë nuk bien në barrë të drejtorit të Drejtoratit por në barrë të Inspektorit të Ndërtimit dhe udhëheqësit të tyre”, ishte deklaruar avokati Osdautaj.
Ndër të tjerash, mbrojtësi i të akuzuarit Dashi, avokati Osdautaj, gjykatës i propozoi që të gjitha dëshmitë, deklaratat e dëshmitarëve të dhëna fillimisht si të pandehur, e tani të propozuar si dëshmitarë, të refuzohen dhe se gjykata mos t’i pranojë si prova të pranueshme në këtë çështje penale.
Edhe i akuzuari Dashi, në fjalën e tij, tha se pajtohet me deklarimin e mbrojtësit të tij.
Në anën tjetër, prokurori i rastit, Ali Uka, në përgjigjen e tij për kërkesën e mbrojtjes për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës, ka theksuar se kërkesa është e pabazuar dhe si e tillë, e njëjta duhet të refuzohet nga ana e gjykatës.
Ndryshe, i akuzuari Demë Dashi, në shqyrtimin fillestar të mbajtur në Gjykatën Themelore në Pejë, më 5 qershor të këtij viti, është deklaruar i pafajshëm, lidhur me akuzën për korrupsion.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë – Departamenti për Krime të Rënda, e ngritur më 27 mars 2018, Demë Gashi akuzohet se si person zyrtar në pozitën drejtor i Drejtorisë së Inspeksionit në Komunën e Pejës, me dashje nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të domosdoshme të përcaktuara me ligj gjatë periudhës 7 maj 2014 deri 14 nëntor 2016, në atë mënyrë që ka lejuar ndërtimin e mbi katërmbëdhjetë objekteve shumë banesore në regjionin e Pejës, pa leje dhe me tejkalim të lejeve urbanistike.
Gjithmonë sipas aktakuzës, me këto veprime i pandehuri Gashi ka mundësuar përfitim të kundërligjshëm për tjetrin dhe atë Hasan Idrizaj, Arben Qekaj, Artan Gjoci, Metë Ademaj, Agim Lokaj, Artan Gjoci, Sami Karaqica, Visar Kelmendi, Abedin Kurtulaj, Hekuran Selimaj, Kujtim Hadergjonaj, Rexhe Zeka, Sali Qelaj, me mbi 500.00 euro.
