Aktuale
Varrezat e dëshmorëve në Viti në gjendje të mjerueshme, po bëhen riparime në memorial
Mesdita e 29 gushtit ishte dita më e keqe që nga paslufta për Xhevgjet Ademin, vëllanë e dëshmorit Xhemajl Ademi.
I nisur për të bërë homazhe pranë varrit të vëllait, Ademi u përball me mbeturina dhe mbetje të tjera mbi varrin e tij, raporton KTV.
Sipas Ademit, për mbeturinat e derdhura brenda varreve të dëshmorëve, fajtorë nuk janë as zyrtarët komunalë, e as punëkryesit aktualë të memorialit.
Ai thotë se fajtore janë kompanitë që u përkujdesën për ndërtimin e tyre rreth 10 vjet më parë, derisa shton se ky veprim i tyre është i ulët dhe i rëndë për ta.
E të njëjtin shqetësim me Ademin, e ndan edhe Qendrim Salihu, i biri i dëshmorit tjetër të qytetit, Skender Salihu.
Qendrimi, i emocionuar rrëfen se gjendja në të cilën gjeti varrin e babait, ia rëndon edhe më shumë dhimbjen për të.
Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, Bislim Zogaj, ka thënë se përkundër problemeve, memoriali do të përfundohet sipas projektit pa dëme të tjera.
“Me kërkesën e Shoqatave të dala nga Lufta e UÇK-së dhe Kryetarit të Komunës së Vitisë, Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës ka ndarë mjete dhe e ka zhvilluar procedurën për meremetimin e memorialit të UÇK-së në Viti. Janë zhvilluar të gjitha procedurat e prokurimit dhe është përzgjedhur operatori ekonomik i cili tani është në fazën fillestare të punimeve, e të cilat do të mbikëqyren nga Agjencia jonë. Gjatë këtyre punimeve, mund të dalë edhe ndonjë pengesë e paparashikuar, por punimet do të kryhen ashtu siç është e paraparë me projekt”, ka thënë Zogaj.
Familjarët e dëshmorëve të qytetit të Vitisë thanë se përkrahin rikonstruktimin e këtij memoriali, porse duan që autorët e dëmtimit të varreve, të marrin dënimin e merituar.