Arkitekturë
Utopia e humbur e Jugosllavisë: një shfaqje monumentale në MoMA

Sytë e kritikëve të arkitekturës dhe dizajnit së fundi janë kthyer nga ekspozita “Toward a Concrete Utopia: Yugoslavian architecture 1948-1980” (Drejt një Utopie Betoni: Arkitektura në Jugosllavi 1948-1980) në Muzeun e Artit Modern në New York (MoMA) në kuadër të së cilës, për publikun amerikan, u shfaq arkitektura brutaliste e Jugollavisë, pjesë e së cilës ishte edhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës. Këtë përzgjdhje të objekteve që do të ishin pjesë e ekspozitës e kishin bërë Vladimir Kuliq, kuratori i ekspozitës, në konsultim me arkitektin Kosovar, Bekim Ramku.
Kjo ekspozitë, shtyu mjaft prej kritikëve të artit dhe arkitekturës, të shprehin mendimet e tyrë në media, duke përfshirë disa nga më të njohurat botërisht si “The Guardian”, “Dezeen”, “ArchDaily”, “New York Times” dhe “The Financial Times”, duke përmendur edhe Kosovën për Bibliotekën Kombëtare, si një nga objektet më të njohura në vend, dhe si pjesë të ekspozitës.
Edwin Heathcote, një arkitekt dhe dizajner, gjithashtu kritik i arkitekturës për “The Financial Times” që nga viti 1999, shkruajti për ekspozitën të cilën, sigurisht, e kishte vizituar, duke e cilësuar si studim serioz dhe gjithëpërfshirës të arkitekturës jugosllave të pasluftës, një dritare për një botë imagjinare dhe eksperimentim pothuajse i pafund.
Një meritë të madhe të zhvillimit të këtij lloji të arkitekturës, pra brutalizmit, Heathcote ia jep Le Corbusierit, duke treguar se si shumë arkitektë jugosllavë kishin udhëtuar nëpër botë, duke dizajnuar dhe ndërtuar, dhe shumica prej tyre kishin përfunduar në zyret e Le Corbusier në Paris, i cili më pas kishte krijuar një impakt të madh në projektimet e tyre.
Megjithatë, Heathcore nuk la pa përmendur faktin se këto ndërtesa, nëse jo të gjitha, shumica prej tyre nuk janë në gjendje të mirë.
“Shumë prej tyre tani po vjetërsohen dhe shpërfillen, janë dëmtuar nga neglizhimi, vandalizmi dhe lufta civile” shprehet Heathcore.
“Natyrisht, utopia kurrë nuk arriti dhe lufta civile copëtoi vendin përtej vijave etnike. Megjithatë, si një besimtarë në aftësinë e arkitekturës për të krijuar një identitet të ri kombëtar, kjo shfaqje (ekspozitë) është e mrekullueshme. MoMA’s duhet t’i jepet një meritë e madhe për trajtimin e një historie të vështirë, dukshëm të largët dhe të panjohur” përfundon ai.
Shkrimin origjinal mund ta gjeni në këtë link: https://www.ft.com/content/23fe0212-8f2d-11e8-bb8f-a6a2f7bca546
